Zjarret në Himarë dhe “Paketa e Maleve”/ Tavo dhe Lapaj përplasen në “Shqipëria Live”: Zona e djegur do të rikthehet në ullishte, nuk do të ndërtohet

08/09/2026 14:22

Zjarri në Himarë dhe dyshimet nëse zonat e prekura nga flakët lidhen me “Paketën e Maleve” “përplasën” në studion e emisionit “Shqipëria Live” kryebashkiakun Vangjel Tavo dhe Adriatik Lapajn.

Tavo hodhi poshtë aludimet për një lidhje mes zjarrit dhe ligjit, duke theksuar se sipërfaqja e djegur me ullinj është tokë bujqësore dhe se në të nuk do të lejohet ndërtimi, ndërsa Bashkia do të mbështesë pronarët për rikthimin e ullishtes.

Lapaj, nga ana tjetër, argumentoi se harta e zonës së djegur përputhet në një pjesë të konsiderueshme me territorin e përfshirë në hartën e “Paketës së Maleve”, duke ngritur pikëpyetje edhe për mënyrën se si ligji trajton pronat dhe bashkëpronarët.

Pjesë nga debate në studion e emisionit “Shqipëria Live”:

Tavo: Kam thënë se zoti Lapaj ka thënë se zjarri në Himarë është vendosur qëllimisht, është i gabuar dhe kam dhe argumentat dhe jam gati t’jua parashtroj se përse zjarri nuk ka lidhje me paketën e maleve.

Akoma nuk e di nëse zjarri ka qenë i qëllimshëm apo aksidental, por duhet të them që nuk ka asnjë lidhje me aludimet se mund të jetë i lidhur me paketën e maleve sepse: 1 – Sipqëfaqja e djegur është ullishte dhe zëri kadastral është tokë bujqësore dhe ligji i Pketës së Maleve e përjashton automatikisht tokën bujqësore.

Atje janë të ndara AMTP dhe ligji i maleve nuk mundet, ligji i maleve të veprojë se është tokë bujqësore.

Duke qenë se është ullishte, unë për sa kohë do jem në krye të Bashkisë të Himarës jam akoma mendërisht mirë dhe nuk mund të toleroj që atje të ketë ndërtim për sa unë kam përgjegjësi.

Në atë zonë që është djegur dhe është ullishte do të rikthehet në ullishte dhe ne si bashki që nga java tjetër do të fillojmë të furnizojmë pronarët e asaj toke me fidanë ulliri dhe do t’i mbështesim ne si bashki, pasi të pastrojmë zonën nga gjendja që është krijuar pas zjarrit.

Nuk është djegur vetëm ajo zonë, nuk është vetëm ullishtja, është dhe zona e banuar dhe zonë që ndërtohet, atje do vazhdojë ndërtimi se është brenda vijë të verdhë të Himarës, të dallojmë pjesën e pandërtueshme me atë që ndërtohet.

Lapaj: Unë i nisa stafit tuaj një hartë për të ilustruar cila është zona e djegur dhe cila është zona e përfshirë në paketën e maleve në Bashkinë e Himarës.

Praktikisht referuar VKM-ve përkatëse janë 13 080 ha të futura në paketën e maleve që do të thotë për një ligj që është pretenduar se do të adresojë disa bujtina në fshatra e do krijojë mundësinë që disa familje do të jetojnë në ato zona janë vendosur në dispozicion 13 080 ha që do të thotë janë milionë metra katrorë, mbi 13 milionë metra katrorë e cila po jepet me 1 euro.

Po të krahasosh hartën që është për Bashkinë Himarë për paketën e maleve me hartën ku ka rënë zjarri është në një pjesë të madhe e përputhshme, unë nuk po them që nuk janë djegur ullinj, apo nuk ka tokë bujqësore që nuk janë djegur apo që nuk ka banesa e troje, por është fakt që pjesa dërrmuese që është djegur shtrihet brenda gjurmës që rrethon Bashkinë Himarë si pjesë e ligjit për paketën e maleve.

Nuk është se po e them unë se dua të bëj konspiracion.

Po ta krahasosh atë që po ndodh sivjet në Shqipëri dhe ta krahasosh me vitet e tjera, shpërndarja në territor është shumë e madhe dhe është në ato zona që janë adresuar nga ligji për paketën e maleve.

Kjo është lista e bashkive aktualisht sipas VKM-ve përkatëse që përcakton sip. për çdo bashki për paketën e maleve.

Në total në gjithë Shqipërinë deri tani janë 553324 ha që do të thotë më shumë se 20% e territorit. Parashikohet të shkojë në 30%. Më shumë se 20% e territorit po jepet me vlerë simbolike 1 euro.

Bëhet fjalë për mbi 5 trilionë metra katrorë, jo milionë, po trilionë.

Kjo është më e gjerë se Himara, Himarën e kemi marrë si rast.

Bashkia Himarë është ajo e rrethuar me blu, pjesa me të kuqe është e gjithë harta e paketës së maleve brenda Bashkisë Himarë.

Zjarri është ai që e ka rrethuar kryesisht pjesën e konturuar me të kuqe, në 70-80% të saj.

Tavo: Jo, jo, jo.

Sidorela Gjoni: A është pjesa me të kuqe që është prekur nga flakët, zoti Tavo?

Tavo: Pjesa me të kuqe mund të jetë harta që është bërë kërkesa në fazën e parë për paketën e maleve, por nga e thëna në të bërë është në mes një mal i tërë.

Lapaj: Si ata në breg, si ata matanë malit janë njësoj. Duhet që pronën e gjyshërve ta marrin përmes ligjit që e kthen dhe e njeh për të gjithë trashëgimtarët.

Tavo: Nuk e pyeta kot z. Lapaj për zonën e Labërisë. Brenda kësaj pjese është dhe Labëria. Sa i përket pjesës së hartës, është pjesë e interesit të treguar dhe hartën nuk e ka bërë qeveria, por bashkia. Bashkia ka bërë këtë hartë përmes interesit të treguar. Në atë zonë janë 3 fise të mëdha himariote, Zotaj, Rexhaj dhe Baolano. Nuk e kanë përfituar. Duhet të aplikojë ligji për kthim dhe kompensim pronash. Pas 36 vitesh s’ka pasur interes për të aplikuar. Kujt do t’i adresohen? Ligji për pronat është shtyrë, nuk është bërë aplikimi. Ligji për Paketën e Maleve na detyron që t’i drejtohemi ASHK-së dhe Agjencisë së Trajtimit të Pronave. Ajo çka është e rëndësishme, duke qenë se firmos si kryebashkiak, në fund fare, nëse dikush s’do të ketë lidhje me pronën që kërkon të zhvillojë një agrobiznes, harrojeni se mund të firmos diçka të tillë. Nuk kam rrjedhur akoma. Do të përfitojnë vetëm ata që janë të ligjshëm. Nga ana tjetër, s’mund të privojmë mundësinë që ky ligj për të përfituar, sepse nuk përfituan më herët. Ky ligj i detyron ta zhvillojë, do të thotë zhvillim për ekonominë e tyre, bashkinë.

Lapaj: Si zgjidhet problemi i bashkëpronarëve?

Tavo: Ashtu siç zgjidhet me ligjin e kthimit dhe kompensimit të pronave.

Lapaj: Jo, nuk është e vërtetë.

Tavo: Nëse ka bashkëpronarë, … kam rastin e Zotajve, po ju them që të trija këto fise nuk kanë asnjë lidhje politike me partinë në pushtet. Zotajt më kanë ardhur si fis, tre fëmijë që ka lënë gjyshi, që kanë nipër dhe mbesa. Erdhën e kërkuan, u thashë: patjetër, është një rast i mirë që erdhët e kërkoni, por kjo duhet zhvilluar. Prona e tyre ka qenë, ç’kuptim ka t’ua shesim.

Lapaj: Nuk ka një nen të tillë. Familjen Zotaj e ke orientuar gabim. Ligji nuk përpjesëton ligjin e bashkëpronësisë.

Tavo: Ajo ose ngelet prona siç është, ose i takon fisit. Pastaj le ta gjejnë me fisin ata.

Lapaj: Me fisin do të kërcasë konflikti.

Tavo: Prona shkon te fisi Zotaj, sepse i gjithë fisi ka aplikuar bashkë. Kjo pronë t’u kthehet trashëgimtarëve, por të zhvillohet ndërkohë.

Pyetje: Zjarri ka lidhje me “Paketën e Maleve” apo jo?

Lapaj: Logjika ta bën të mendosh se, sa kohë gjurmët përputhen, ka një problem. Aty ka dhe livadh, tokë, pyll, kullotë. Për këtë arsye, ne brenda javës kemi shkruar një projektligj, për ta adresuar. I takon shtetit për ta votuar apo jo.

Pjesa me të kuqe mund të jetë harta që janë bërë kërkesat në fazën e parë për “Paketën e Maleve”, por nga e thënë në të bërë është në mes një mal i tërë. Deri në momentin e fazës së dytë që do dalim në terren për të verifikuar çdo dokumentacion që qytetarët kanë aplikuar për Paketën e Maleve dhe për të vendosur në fund komisioni dhe këshilli i bashkisë, kemi shumë kohë para deri atëherë. Këtu brenda është dhe pjesa e Labërisë. I takon ta marrë Labëria apo jo Paketën e Maleve?

Ajo që shihni ju aty është unaza rreth bashkisë dhe ajo është harta që është miratuar nga qeveria dhe qytetarët mund të aplikojnë. Është shumë më e madhe pjesa që po jepet falas. Sigurisht që ka familje, kanë tokat gjyshërit, por adresimi duhet të bëhet përmes kthimit dhe kompensimit të tokave. Ka pasur gjyshi 10 ha, përmes ligjit mund të shkojë një nga trashëgimtarët dhe e merr ai. Të tjerët mbajnë… të tjerët do të hyjnë në konflikt me njëri-tjetrin. Ky është problem i madh.

Top Channel