Po punonin për vendosjen e ndriçimit në trotuar, katër punonjësit e bashkisë së Tropojës i zë korrenti, një i vdekur

08/09/2026 13:14
Foto ilustruese

Një ngjarje e rëndë është shënuar sot në Bajram Curr, ku një person ka humbur jetën dhe tre të tjerë kanë mbetur të plagosur.

Korrespondenti i Top Channel Bekim Lekica bën me dije se ngjarja ka ndodhur në hyrje të qytetit të Bajram Currit, ku katër punonjësit e bashkisë janë qenë duke punuar për ndriçimin e rrugës dhe trotuarit, kur kanë rënë në kontakt me rrymën elektrike.

Si pasojë njëri prej tyre ka humbur jetën, ndërsa tre të tjerët kanë mbetur të lënduar. Sakaq, policia po punon për sqarimin e plotë të ngjarjes.

Njoftimi i policisë: 

Më datë 08.09.2026, rreth orës 10:00, kemi marrë njoftim se, në afërsi të fshatit Bujan, në rrugën e Dobravës, 4 punonjës të Bashkisë Tropojë, duke kryer punime për shpërndarjen dhe vendosjen fizike të shtyllave të ndriçimit në këtë rrugë, kanë rënë në kontakt me rrymën elektrike.

Nga veprimet paraprake dyshohet se, gjatë vendosjes së një shtylle në bazament, për shkak të peshës së saj, 4 punonjësit që po e mbanin kanë humbur ekuilibrin dhe shtylla ka prekur telat e rrymës, duke përcjellë energjinë elektrike te punonjësit.

Si pasojë, shtetasi M.S 59 vjec ka ndërruar jetë, ndërsa shtetasit A. D 40 vjec., I. D. 47 vjec dhe A. A. 21 vjec ndodhen në Spitalin e Bajram Currit, për trajtim mjekësor.

Nga veprimet paraprake rezulton se punonjësit po kryenin transportin dhe shpërndarjen e shtyllave, sipas planit të punës, datë 04.09.2026, të Bashkisë Tropojë, Drejtorisë së Turizmit, Shërbimeve Publike dhe Transportit.

Grupi hetimor po vijon veprimet procedurale për sqarimin e plotë të rrethanave të ngjarjes.

Top Channel