Ministri Hoxha takohet me Komandantin e Forcës Ndërkombëtare të Stabilizimit për Gazën: Shqipëria krah SHBA-ve për paqen dhe sigurinë

08/09/2026 16:09

Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme Ferit Hoxha priti sot në Tiranë Gjeneral Major Jasper Jeffers, Komandant i Forcës Ndërkombëtare të Stabilizimit për Gazën.

Në një postim në X, Hoxha theksoi se “diskutuam rëndësinë e pjesëmarrjes së Shqipërisë në ISF, që shndërron në kontribut real në terren, një prej komponentëve kryesorë të politikës sonë të jashtme: avancimin e paqes dhe sigurisë dhe gatishmërinë për të kontribuar aty ku përpjekjet ndërkombëtare mund të bëjnë një ndryshim.”

Ministri nënvizon se si anëtare themeluese e Bordit të Paqes, Shqipëria është e vendosur të luajë rolin e saj përkrah Shteteve të Bashkuara dhe partnerëve të tjerë ndërkombëtarë në mbështetjen e përpjekjeve për të krijuar kushtet për siguri, stabilitet dhe paqe të qëndrueshme në Lindjen e Mesme.

“Pjesëmarrja jonë në ISF pasqyron gatishmërinë e Shqipërisë për të kontribuar konkretisht në një iniciativë që synon ruajtjen e sigurisë dhe dinjitetit të popullit të Gazës, lehtësimin e ndihmës humanitare dhe rindërtimin, dhe ndihmën në krijimin e kushteve për një horizont politik të besueshëm dhe të qëndrueshëm për një jetë më të mirë për të gjithë”, tha Hoxha.

Ministri shtoi se “Shqipëria ka demonstruar vazhdimisht angazhimin e saj për paqen dhe sigurinë ndërkombëtare, përmes NATO-s, Kombeve të Bashkuara dhe misioneve të tjera ndërkombëtare.”

“Kontributi ynë në ISF është një vazhdim i natyrshëm i këtij angazhimi dhe i besimit tonë se vendet, pavarësisht nga madhësia e tyre, mund të japin kontribute domethënëse në adresimin e sfidave të kohës sonë. Ne jemi të gatshëm të bëjmë pjesën tonë, së bashku me aleatët dhe partnerët tanë, për paqen, sigurinë dhe një të ardhme më të mirë për njerëzit e rajonit”, deklaroi Hoxha.

Top Channel