Përkeqësohet situata me zjarret në Ungrej të Lezhës, flakët e favorizuara nga era rrezikojnë varrezat dhe kishën e fshatit Rras

07/09/2026 17:19

Situata me zjarret vijon të mbetet e vështirë në Njësinë Administrative Ungrej, në Kashnjet.

Pak minuta më parë, për shkak të erës së fortë, një vatër e madhe zjarri përfshiu zonën pyjore në fshatin Rras, duke rrezikuar seriozisht varrezat dhe kishën e fshatit.

Sipas forcave zjarrfikëse, zjarri pranë varrezave është vënë nën kontroll, duke larguar për momentin rrezikun për këtë zonë.

Tashmë, ndërhyrja është përqendruar pranë kishës, ku forcat zjarrfikëse po punojnë për izolimin e flakëve dhe parandalimin e përhapjes së tyre.

Prej katër ditësh, disa mjete dhe forca zjarrfikëse të Bashkisë Lezhë janë angazhuar në luftën me flakët në Kashnjet. Situata është përkeqësuar gjatë ditëve të fundit, e favorizuar edhe nga era dhe terreni i vështirë, që e bëjnë ndërhyrjen më të komplikuar.

Top Channel