Çfarë loje po bën Putin!? Mision pa rezultat, Witkoff dhe Kushner takojnë Putinin, por Kremlini nuk lëshon pe

07/09/2026 13:58

Administrata Trump ka intensifikuar përpjekjet diplomatike për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë. Të dërguarit amerikanë Steve Witkoff dhe Jared Kushner u takuan fillimisht me presidentin rus Vladimir Putin në Moskë dhe më pas me presidentin ukrainas Volodymyr Zelensky në Kiev, duke diskutuar mundësinë e rifillimit të negociatave.

Megjithatë, tre ish-ambasadorë amerikanë në Ukrainë vlerësojnë se ende nuk ka prova të mjaftueshme që Rusia ka ndryshuar qëndrimin e saj. Witkoff foli për “ide të reja” nga Moska, ndërsa Kushner për një “paketë më të gjerë paqeje”, por detajet e këtyre propozimeve mbeten të paqarta. Çështjet kryesore mbeten territori dhe siguria e ardhshme e Ukrainës.

Rusia kërkon lëshime territoriale, ndërsa Ukraina refuzon të njohë territoret e pushtuara si ruse. Një marrëveshje e mundshme mund të përfshinte një armëpushim përgjatë vijave aktuale, pa njohje ligjore të kontrollit rus, por nuk ka shenja se Moska është gati për një kompromis të tillë. Ekspertët theksojnë gjithashtu se një armëpushim nuk do të mjaftonte pa garanci të besueshme sigurie për Ukrainën. Këto mund të përfshinin praninë e trupave europiane, mbështetje amerikane në inteligjencë dhe mbrojtje ajrore, si dhe perspektivën e integrimit të Ukrainës në BE dhe NATO.

Corriere della Sera shkruan se Putin po përpiqet të ruajë një ekuilibër të vështirë me Shtetet e Bashkuara, ndërsa në negociatat për Ukrainën mban një qëndrim gjithnjë e më të ashpër. Vizitën e Witkoff dhe Kushner, mediat ruse e përshkruan si një dështim: Sipas Kremlinit, pala amerikane mbërriti shumë vonë dhe Rusia nuk ka arsye të bëjë lëshime në këtë fazë. Moska beson se zhvillimet në front dhe koha janë në favor të Rusisë dhe se presioni ndaj Ukrainës dhe Perëndimit mund të rritet gjatë muajve të ardhshëm.

Megjithatë, pritja e ngrohtë që Putin u rezervoi të dërguarve amerikanë tregon se Rusia, po kërkon të mbajë të hapur kanalin e komunikimit me Uashingtonin, çka nënkupton se Putini po ndjek një strategji të dyfishtë: mban marrëdhënie të kujdesshme me Trumpin, dhe të njëjtën kohë,  nuk heq dorë nga kërkesat e tij maksimaliste në luftën në Ukrainë.

Top Channel