Zjarret vijojnë të jenë aktive në disa zona të qarkut të Shkodrës, ndërsa gjatë natës dhe orëve të para të mëngjesit forcat operacionale kanë vijuar ndërhyrjet në terren.

Prioritet i ekipeve të angazhuara mbetet mbrojtja e banesave dhe frenimi i përhapjes së flakëve.

Në Bardhaj-Myselim, zjarri vijon aktiv në sipërfaqe pyjore. Mjetet zjarrfikëse janë pozicionuar pranë banesave për të ndërhyrë në rast të riaktivizimit të vatrave.

Në Bërdicë, ndërhyrja gjatë natës bëri të mundur mbrojtjen e banesave dhe vendosjen e situatës nën kontroll. Ndërhyrje është kryer edhe në një vatër zjarri në Shtoj të Ri.

Në Mnelë të Madhe, në Bashkinë Vau Dejës, zjarri vijon aktiv, ndërsa era e fortë po favorizon përhapjen e flakëve. Forcat në terren po punojnë për mbrojtjen e zonës së banuar. Një tjetër vatër është raportuar në Naraç.

Situata mbetet problematike edhe në Malin e Tërbunit në Pukë. Era po favorizon përhapjen e zjarrit, ndërsa vija e flakëve shtrihet në më shumë se 10 kilometra në kurorë pyjore. Deri tani nuk raportohen banesa në rrezik.

Në Fushë-Arrëz, zjarri në Kulumri është shuar plotësisht dhe zona vijon të monitorohet. Ndërkohë, në Iballë-Fierzë zjarri mbetet aktiv në një terren të vështirë dhe të paaksesueshëm, duke kufizuar ndërhyrjen nga toka.

Në operacion janë angazhuar forcat e MZSH-së, Forcat e Armatosura, Shërbimi Pyjor, Emergjencat Civile dhe strukturat vendore të mbrojtjes civile.

Prefektura e Qarkut Shkodër vijon koordinimin me strukturat vendore, Agjencinë Kombëtare të Mbrojtjes Civile dhe strukturat e tjera të emergjencave.

Autoritetet bëjnë me dije se situata mbetet dinamike dhe po monitorohet në vazhdimësi, ndërsa prioriteti kryesor vijon të jetë mbrojtja e qytetarëve dhe banesave.

Top Channel