PDK humbet durimin në Kosovë/ Hamza paralajmëron veprime institucionale, Kushtetuesja mbetet një nga rrugët

05/09/2026 15:32

Deputetët e Kuvendit të Kosovës do të mblidhen më 9 shtator në përpjekje për të konstituuar këtë institucion, pas thirrjes së vazhdimit të seancës nga kryesuesi Avni Dehari.

Pavarësisht kësaj, në shenjë proteste ndaj shkeljes së afatit kushtetues, partitë opozitare këtë të shtunë janë mbledhur edhe një herë në sallën e seancave në parlament.

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza e ka kritikuar thirrjen e vazhdimit të seancës konstituive për javën e ardhshme.

“Tashmë nuk po shkelen vetëm afatet që burojnë nga rendi kushtetues, po shkelet edhe afati sipas intepretimit të vetë Vetëvendosjes. Tash vazhdimi i seancës konstituive është thirrur për 9 shtator, pas afatit prej 30 ditëve që ka përcaktuar vetë Vetëvendosja”, tha deputeti i PDK-së Bedri Hamza.

Hamza në kundërshtim të shkeljeve kushtetuese që sipas PDK-së ka kryer Vetëvendosja, ka paralajmëruar masa të tjera veprimi.

“Do të veprojmë me përgjegjësi, me vendosmëri dhe me të gjitha mjetet demokratike dhe institucionale që na i jep rendi kushtetues i Republikës së Kosovës”, tha Hamza.

Bashkë me PDK, në sallën e Kuvendit ishin edhe Aleanca, që po ashtu kritikuan veprimet e fundit të partisë fituese të zgjedhjeve, Lëvizjes Vetëvendosje.

“Ky person, pra Kurti, pa pyetur askënd, e dorën në zemër pa pyetur kurrë as Vetëvendosjen, ka vazhdu me shkelje brutale të Kushtetutës dhe rendit tonë kushtetues”, tha deputeti i Aleancës Burim Ramadani.

Kuvendi i Kosovës, bazuar në aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese të vitit 2025, duhet të konstituohet 30 ditë pas certifikimit të rezultatit të zgjedhjeve.

Ky afat ka përfunduar më 7 gusht, e parlamenti mbetet i pakonstituar.

Top Channel