Dita e 98-të/ Protestuesit grumbullohen para Kryeministrisë, tubuesi: Të martën na keni para parlamentit, me vezë, domate dhe miell

05/09/2026 21:04

Protesta e 98-të po zhvillohet këtë të shtunë në Tiranë, me protestuesit që fillimisht janë mbledhur në sheshin “Skënderbej”, për t’u zhvendosur më pas në drejtim të Kryeministrisë.

Marshimi është shoqëruar me thirrje kundër qeverisë, ndërsa protestuesit janë ndalur para Kryeministrisë, ku vijojnë fjalimet e zakonshme dhe deklaratat e pjesëmarrësve.

Në fjalën e tij, një prej protestuesve u shpreh se protesta do të vijojë edhe gjatë muajve në vazhdim, ndërsa paralajmëroi pjesëmarrje edhe në seancën e parë plenare të Kuvendit.

“Këto ditë prisnim kur do ishte seanca e parë plenare që t’u bëjmë vizitë deputetëve. A jeni gati? A do t’i presim me vezë, domate dhe miell apo jo? Të gjithë ata që kanë ngulmuar që kjo protestë të ndryshojë, iu them se kjo protestë do vazhdojë kështu”, deklaroi protestuesi.

Ai paralajmëroi se protestuesit do të jenë të pranishëm edhe pranë Parlamentit gjatë seancave plenare.

“Ditën e martë, në orën 5 pasdite do jemi te Parlamenti, pasi fillon seanca e parë plenare. A do jemi të martën te Parlamenti apo jo? A do t’i presim deputetët me vezë dhe domate apo jo? A do u themi që nuk na përfaqësoni apo jo?”, vijoi ai.

Protestuesi tha se tubimet do të vijojnë dhe se synimi është që protesta të shtrihet edhe përpara Kuvendit gjatë çdo seance plenare.

“Ne do vijojmë protestën si çdo ditë, por betohemi se në çdo seancë plenare do na kenë te dera. Nuk pranojmë të përfaqësohemi nga Flamur Noka dhe Zeqineja. Ky shtator do e gjejë popullin në revoltë”, u shpreh ai.

 

Top Channel