Një zjarr është regjistruar ditën e sotme në fshatin Greps në Njësinë Administrative Nikël të Krujës.
Burime nga bashkia e Krujës bëjnë me dije se flakët janë përhapur në zonën pyjore të Grepsit, një sipërfaqe me pemë dhe shkurre.
Pas sinjalizimit për zjarrin, në terren kanë mbërritur forcat zjarrfikëse nga Kruja të mbështetura dhe nga Kamza dhe Tirana, të cilat po punojnë për izolimin dhe vënien nën kontroll të flakëve.
Zjarri po përhapet nga zona e Grepsit drejt fshatit Mukje dhe zjarrfikësit po punojnë gjithashtu për të ndaluar përhapjen e tij drejt banesave në zonë. Korrespondentja e Top Channel, Vali Qyrfyçi raporton se në vatrën e Krujës pritet ndërhyrje nga ajri për shkak të terrenit të vështirë dhe përhapjes me shpejtësi të zjarrit.
Situata paraqitet e vështirë për shkak të erës, e cila po favorizon përhapjen e zjarrit në sipërfaqen pyjore.
Top Channel