Zjarr në Shtepanjë të Cërrikut, autoritetet thirrje banorëve: Kujdes, njoftoni menjëherë sapo të evidentoni vatra

04/09/2026 16:19

Një vatër zjarri është raportuar gjatë pasdites së premte në lagjen Hoxhalinj, në fshatin Shtepanjë në bashkinë e Cërrikut.

Menjëherë pas marrjes së njoftimit, shërbimi zjarrfikës është vënë në lëvizje për të izoluar dhe neutralizuar situatën. Në terren janë angazhuar dy grupe zjarrfikëse, me dy automjete dhe gjashtë efektivë, të cilët kanë ndërhyrë në mënyrë të shpejtë për të frenuar përhapjen e flakëve, raporton korrespondentja e Top Channel Bruna Kërçyku.

Ndërhyrja në kohë ka bërë të mundur vendosjen nën kontroll të zjarrit, duke shmangur përhapjen e tij drejt banesave dhe zonave të tjera me bimësi. Operacioni i zjarrfikësve është përqendruar në izolimin e vatrës dhe eliminimin e rrezikut për përhapje të mëtejshme.

Autoritetet u bëjnë apel banorëve që të tregohen veçanërisht të kujdesshëm dhe të shmangin çdo veprim që mund të shkaktojë zjarr, ndërsa kërkohet njoftimi i menjëhershëm i shërbimeve emergjente në rast konstatimi të një vatre zjarri.

Top Channel