Një stallë bagëtish është përfshirë nga flakët në Levan të Fierit, duke shkaktuar dëme të konsiderueshme materiale.
Siç raporton korrespondenti i Top Channel Neritan Trifoni, zjarri ka shkrumbuar ushqimin e bagëtive, si dhe një sasi të madhe makinerish bujqësore që ndodheshin brenda stallës.
Ndërhyrja e shpejtë e shërbimit zjarrfikës ka bërë të mundur izolimin e flakëve dhe parandalimin e një tragjedie më të madhe. Mbi 20 krerë lopë janë shpëtuar nga zjarrfikësit.
Shtëpi dhe biznese të rrethuara nga flakët, ndërsa banorët jetojnë momente ankthi dhe frike. Pavarësisht ndërhyrjes nga ajri dhe toka me mjete zjarrfikëse, situata në zonën e Levanit në Fier mbetet ende problematike.
Flakët, të favorizuara nga era dhe temperaturat e larta, vijojnë të përhapen me shpejtësi, ndërsa zjarri tashmë po avancon drejt kodrave të fshatit Frakull.
Forcat zjarrfikëse dhe strukturat e tjera në terren po punojnë për të vënë situatën nën kontroll dhe për të shmangur përhapjen e mëtejshme të flakëve drejt zonave të banuara.
Top Channel