Presidenti Begaj në Përmet, vlerëson zhvillimin e turizmit dhe investimet e emigrantëve: Vendi i mikpritjes dhe bujarisë

04/09/2026 21:28

Presidenti Bajram Begaj, zhvilloi një vizitë në Përmet, ku vlerësoi modelin zhvillimor që bashkon trashëgiminë kulturore e fetare, pasuritë natyrore dhe vlerat tradicionale. 

Fillimisht, Kreu i Shtetit u takua me Kryetaren e Bashkisë, Alma Hoxha, dhe drejtuesit vendorë, ku u njoh me shtimin e numrit të turistëve dhe kthimin e të rinjve nga emigracioni për investime në këtë zonë.

Duke vlerësuar këto rezultate, Presidenti Begaj përcolli falënderime për bashkëpunimin e biznesit me pushtetin vendor dhe qeverinë, si dhe vizitoi zonën historike të qytetit, ku pa nga afër rikonstruksionin e banesave tradicionale të kthyera në një pikë tërheqëse për turistët.

Pjesë e itinerarit ishin dhe vizitat në sipërmarrjet e vogla familjare, në hoteleri e punishte artizanale të prodhimit të verës dhe të glikosë. Presidenti Begaj vlerësoi investimin e emigrantëve që kanë sjell në Përmet eksperiencat e marra në Perëndim. Gjithashtu, shprehu vlerësim për ruajtjen e traditës në prodhimet bio që shiten brenda dhe jashtë vendit. Duke përgëzuar këta sipërmarrës, Presidenti i Republikës i cilësoi investimet e tyre si një mundësi e mirë për zhvillimin ekonomik dhe turizmin e qëndrueshëm në Përmet.

Ndërkohë, gjatë vizitë në Inkubatorin e Përpunimit të Produkteve Bujqësore, Presidenti Begaj e cilësoi këtë qendër si mbështetje ndaj fermerëve të zonës në grumbullimin, përpunimin  dhe certifikimin e produkteve bio, si nismë e suksesshme për të ruajtur markën përmetare.

Presidenti Begaj theksoi se nisma si ky inkubator meritojnë të promovohen, pasi nëpërmjet tyre ruhet e promovohet cilësia e produktit vendas.

Gjatë këtyre takimeve, Presidenti i Republikës theksoi rëndësinë e bashkëpunimit të komunitetit dhe institucioneve vendore dhe ndërkombëtare, si dhe ruajtjen e traditave të hershme dhe zhvillimin përmes teknologjive bashkëkohore.

Gjithashtu, Kreu i Shtetit i kushtoi vëmendje edhe trashëgimisë kulturore dhe fetare.

“Përmeti nuk është vetëm vendi i mikpritjes dhe bujarisë, por dhe vendi i besimit fetar dhe objekteve të lashta të kultit”, tha Begaj.

Presidenti i Republikës vizitoi Kishën e Shën Marisë në Leusë, një monument që tërheq turistë për arkitekturën bizantine dhe afresket e rralla.

Top Channel