Nisma ‘Besa’/ Deputeti i PS takim me banorët e Gjirokastrës, të moshuarit kërkojnë zgjidhje për problematikat e zonës

04/09/2026 19:07

Në kuadër të nismës “Besa”, deputeti Piro Dhima zhvilloi një takim me banorë të Gjirokastrës, kryesisht të moshuar, të cilët u paraqitën në zyrat e Partisë Socialiste për të ngritur shqetësimet e tyre.

Siç raporton korrespondentja e Top Channel Entjola Budo, banorët thanë se nuk kishin ardhur thjesht për të diskutuar probleme personale, por problematika që, sipas tyre, prekin një pjesë të madhe të komunitetit. Në fokus të ankesave ishin shërbimet e munguara dhe problematikat e përditshme me të cilat përballen qytetarët, duke e kthyer takimin në një adresim të drejtpërdrejtë të pakënaqësive ndaj Bashkisë së Gjirokastrës.

Të moshuarit kërkuan që problematikat e tyre të mos mbeten vetëm në kuadër të një takimi politik, por të marrin zgjidhje konkrete nga institucionet përgjegjëse.

Takimi vjen në një kohë kur banorët e Gjirokastrës vijojnë të ngrenë zërin për cilësinë dhe mungesën e shërbimeve publike, duke kërkuar që shqetësimet e komunitetit të mos dëgjohen vetëm gjatë takimeve, por të pasohen me veprime konkrete.

Top Channel