Droni rus godet selinë e Shërbimit të Sigurisë në Kiev, Zelensky paralajmëron hakmarrje

04/09/2026 16:23

Një dron rus ka goditur ndërtesën kryesore të Shërbimit të Sigurisë së Ukrainës (SBU) në Kiev, në rrugën Volodymyrska, përballë Katedrales së Shën Sofisë.

Lajmi është bërë i ditur nga presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, përmes një postimi në rrjetin social X.

Zelensky tha se droni ishte drejtuar drejtpërdrejt në zyrën e kreut të SBU-së, Oleksandr Poklad, ndërsa bëri të ditur se të gjitha shërbimet e emergjencës ndodhen në vendngjarje.

Presidenti ukrainas deklaroi gjithashtu se i ka kërkuar kreut të SBU-së që t’u japë forcave ruse një përgjigje të përshtatshme dhe, nëse është e mundur, në përputhje me sulmin e kryer.

“E udhëzova Pokladin t’u japë rusëve një përgjigje të përshtatshme, specifike dhe, kur të jetë e mundur, një përgjigje që korrespondon me këtë sulm, sapo gjithçka të jetë gati. Ushtria jonë do ta mbështesë këtë përgjigje”, shkroi Zelensky.

Ai shtoi se të gjithë personat e prekur nga incidenti do të marrin ndihmën e nevojshme.


“Fatkeqësisht, një dron rus goditi ndërtesën kryesore të Shërbimit të Sigurisë së Ukrainës në rrugën Volodymyrska në Kiev, përballë Katedrales së Shën Sofisë. Të gjitha shërbimet e emergjencës janë në vendngjarje. Të gjithë të prekurit do të marrin ndihmën e nevojshme”, deklaroi presidenti ukrainas.

Në përfundim të reagimit të tij, Zelensky e mbylli mesazhin me thirrjen: “Lavdi Ukrainës!”.

Top Channel