Të shtëna me armë zjarri në Korçë, një person plagoset nga kushëriri i tij, autori shpallet në kërkim

03/09/2026 15:28

Një plagosje me armë zjarri ka ndodhur ditën e sotme në Korçë. Plagosja ka ndodhur në afërsi të unazës së qytetit.

Siç raporton korrespondentja e Top Channel Dhorjela Çule, i plagosuri, Dhimiter Shaka është dërguar në spital për ndihmë mjekësore.

Ndërkohë autori, Nikolin Tarusha është shpallur në kërkim. Sipas informacioneve paraprake, autori dhe i plagosuri janë kushërinj me njëri-tjetrin. Shaka ndodhet jashtë rrezikut për jetën.

Njoftimi i policisë : “Korçë/ Informacion paraprak. Rreth orës 15:15, në lagjen nr. 4, dyshohet se shtetasi N. T. ka plagosur me armë zjarri, në këmbë, shtetasin Dh. Sh., 38 vjeç, për motive të dobëta.

38-vjeçari po merr mjekim në spital dhe është jashtë rrezikut për jetën. Shërbimet e Policisë kanë shkuar menjëherë në vendngjarje dhe po punojnë për kapjen e autorit të dyshuar.

Grupi hetimor, në drejtimin e Prokurorisë, vijon veprimet për zbardhjen dhe dokumentimin e plotë të rrethanave të ngjarjes”.

Top Channel