Rama mbledh Grupin Parlamentar: Shteti ka tre plagë që duhen kuruar, “Pasqyrë Albania” për problemet e qytetarëve

03/09/2026 10:16

Kryeministri Edi Rama ka nisur mbledhjen me ministrat dhe grupin parlamentar të Partisë Socialiste, ku po prezanton disa prej prioriteteve dhe sfidave me të cilat përballet qeverisja.

Në fjalën e tij, Rama u ndal te ajo që e cilësoi si “tre plagë që ushqejnë njëra-tjetrën”: shteti labirint, mungesa e memories institucionale dhe perceptimi se në Shqipëri njohja dhe fati shpesh vlejnë më shumë se merita dhe ligji.

Rama foli gjithashtu për “Pasqyrë Albania”, “Besa” dhe “Shkalla e Meritës”, si mekanizma që, sipas tij, synojnë t’u japin përgjigje këtyre problematikave.

Rama: Partisë Socialiste nuk i duhet një kalendar tjetër që prodhon takime me vetveten dhe materiale propagandistike; hendeku i hapur mes nesh dhe njerëzve të Shqipërisë së rilindur nuk mbushet me një fjalë sado të madhe si “Besa” dhe mbi të gjitha, hendeku real për të cilin kemi folur mjaftueshëm dhe të cilin tani është koha të fillojmë të punojmë të gjithë së bashku që ta mbushim mes nesh dhe njerëzve, nuk mbushet me thjesht dhe vetëm një fushatë komunikimi.

“Besa”, ‘’Prania Besnike’’, “Pasqyrë Albania’’ dhe “Shkalla e meritës” për të cilën do të flasim pak më gjatë sot sepse për të tjerat kemi folur, si dhe i tërë ekosistemi i ri i komunikimit të shtetit, jo të partisë me qytetarin, nuk janë portale, as slogane por janë komponentët e një reforme të domosdoshme të marrëdhënies qytetar-shtet. Një reformë që rikoncepton katër pika kyçe; si e sheh shteti problemin, si e dëgjon shumica qeverisëse njeriun, si mbahet fjala e dhënë me ligj dhe me zakon pastaj dhe si hapet dera e shërbimit publik për meritën.

Ne, në një dekadë kemi kryer një operacion të gjerë dhe të thellë jo uniform në të gjithë komponentët e vet, diku me gjerë dhe më thellë, diku më cekët, të organizimit shtetëror të Shqipërisë, por sot, ne ndeshemi me 3 plagë që ushqejnë njëra tjetrën: Njëra plagë është plaga e shtetit “labirinth”, ku qytetari nuk di kur dhe kush duhet t’i përgjigjet.

Plaga e dytë është mungesa e memories institucionale. Premtohet, fitet, vendoset, por nuk mbahet një regjistër i plotë llogarish të shkruara për atë që u bë, për atë që nuk u bë, për atë që u vonua apo për atë që ndryshoi rrugës. Memoria institucionale nuk është protokolli i institucionit, është shumë më tepër sesa kaq dhe mungesa e kësaj memorie i kushton pastaj shtetit dhe qytetarit shumë herë më tepër sesa mund të imagjinohet.

E treta është plaga e derës që nuk duket, të cilën e sheh dhe mund ta prekësh tek ndjenja shpeshherë e drejtë, e çdo njeriu në Shqipëri që për një shërbim, për një vend pune apo për një mundësi, njohja vlen më shumë se merita dhe fati vlen më shumë se ligji.

“Pasqyrë Albania”, “Prania Besnike’’, “Besa” dhe “Shkalla e meritës’’ janë pjesë të pandashme të përpjekjes për t’i dhënë përgjigje këtyre pyetjeve dhe për të kuruar këto plagë.

“Pasqyrë Albania’’ nuk është një superportal, por është një hapësirë e re ku falë teknologjisë dhe mundësisë së jashtëzakonshme që na jep në këtë fazë të zhvillimit tonë Inteligjenca Artificiale, mund të bashkëjetojnë e gjithë qenia publike e shtetit dhe e drejta e plotë e çdo qytetari për të kontrolluar shtetin e vet, për ta pyetur shtetin e vet dhe për të kërkuar mbështetje nga shteti i vet.

Që të jemi të qartë, për të mos krijuar konfuzion tek askush që mund ta perceptojë këtë që po them si një ngatërresë mes qeverisë, shumicës qeverisëse dhe shtetit. Hëpërhë, “Pasqyrë Albania” do të jetë një hapësirë ku qeveria, pushteti ekzekutiv do të jetë tërësisht aty ,por patjetër e mira e do që tek ‘’Pasqyrë Albania” te jenë edhe dy pushtetet e tjera; pushteti legjislativ dhe pushteti gjyqësor, por kjo është një vendimmarrje e tyre.

Top Channel