Ish-i dërguari i SHBA-së për dialogun Kosovë-Serbi, Richard Grenell, bëri një tjetër ndërhyrje lidhur me zhvillimet politike në Kosovë, duke shprehur publikisht mbështetje për gjashtë deputetët e Lidhjes Demokratike të Kosovës që kundërshtuan kandidaturën e Bekim Sejdiut për president.

Grenell postoi në rrjetin social X një fotografi ku shihen Avdullah Hoti, Hykmete Bajrami, Arben Gashi, Armend Zemaj, Kujtim Shala dhe Janina Ymeri, shoqëruar me mbishkrimin: “Shoku im Avdullah Hoti dhe kolegët e tij janë miq të mëdhenj të Amerikës”.

Reagimi i tij vjen në një moment delikat për LDK-në. Vendimi i 6 deputetëve të saj për të mos mbështetur kandidaturën e Sejdiut vuri në pikëpyetje jo vetëm përpjekjen për zgjidhjen e krizës së zgjedhjes së kreut të shtetit, por ngriti pikëpyetje të mëdha edhe mbi vetë unitetin e partisë.

Hoti i ka mëshuar idesë se duhet të jetë një figurë që bashkon dhe se kandidatura e Sejdiut, sipas tij, nuk përfaqëson parimet dhe interesat politike të LDK-së. Avdullah Hoti drejtoi Qeverinë e Kosovës, që u rrëzua nga Gjykata Kushtetuese në vitin 2020, dhe në atë çështje, Bekim Sejdiu ishte gjyqtar raportues.

Disa kohë më parë, Grenell kritikoi kryeministrin në detyrë, Albin Kurti, duke e bërë përgjegjës për krizën politike në vend dhe duke pretenduar se ai ka dështuar në luftën kundër korrupsionit.

Top Channel