“E di që ke probleme me formimin, por…”/ Debate gjatë mbledhjes së KLP, Bogdani sfidon Stojanin pas kërkesës për përjashtim: Hajde shohim diplomat dhe…

03/09/2026 18:18

Një situatë e pazakontë është krijuar në Këshillin e Lartë të Prokurorisë, ndërsa vijon procesi për përzgjedhjen e kandidatëve për postin e Prokurorit të Përgjithshëm.

Sipas gazetares së Top Channel Anila Hoxha, githçka nisi në mbledhjen e kaluar të KLP-së, kur kandidati për Prokuror të Përgjithshëm, Ylli Pjeternikaj, kërkoi përjashtimin e Vat Stakës nga procedura.

Pas kësaj, kërkesat vijuan njëra pas tjetrës. Vat Staka kërkoi përjashtimin e Zeqir Hodës, Hoda kërkoi përjashtimin e Sokol Stojanit, ndërsa Stojani kërkoi përjashtimin e kryetares së KLP-së, Mirela Bogdani.

Ndërkohë, gjatë mbledhjes së ditës së sotme, Stojani ka debatuar me Bogdanin, ndërsa janë përplasur me njëri-tjetrin edhe për çështjen e formimit.

Stojani i ka thënë kryetares se ajo ka probleme me formimin, ndërsa Bogdani i është kthyer duke iu vetëofruar për t’i parë kualifikimet e saj akademike, duke e sfiduar me diplomat, mesataren dhe kualifikimet.

Pjesë nga debati:

Stojani: Unë i qëndroj kërkesës që kam depozituar. Ti ke tejkaluar kompetencat e tua, zonja kryetare, ke favorizuar në mënyrë joobjektive dhe të njëanshme. Ndiq procedurën, mos më bëj thirrje morale.

Bogdani: Unë marr kërkesat dhe kaq, nuk bëj morale. Unë nuk e kuptoj pse duhet të nisim nga kërkesa e fundit, pse nga e treta dhe jo nga e para.

Stojani: Unë e di që ti ke probleme me formimin, po…

Bogdani: Nëse unë kam probleme me formimin, hajde hapim diplomat e universitetit dhe shohim që nga masterat, formimin, kualifikimet dhe e shohim kush ka probleme me formimin. Shihni njëherë formimin tuaj dhe pastaj hajde flasim.

Stojani: Keni një kuadër ligjor, merreni në shqyrtim.

Top Channel