“Atë që nuk e ka bërë dot Platforma e Bashkëqeverisjes, do ta bëjë Pasqyra”, Kryeministri Rama zbulon funksionet e reja të “Pasqyrë Albania”

03/09/2026 10:24

Kryeministri Edi Rama ka hedhur poshtë pretendimet se “Pasqyrë Albania” është një tjetër përpjekje për të mbuluar dështimin e platformës së bashkëqeverisjes.

Në fjalën e tij gjatë mbledhjes me ministrat dhe grupin parlamentar, Rama tha se platforma e bashkëqeverisjes do të jetë pjesë e sistemit të ri, ndërsa “Pasqyra” synon të bëjë atë që platforma nuk ka mundur deri më tani.

Rama: “Pasqyrë Albania” do jetë vendi ky qytetari të mund t’i referohet vet çdo gjëje që po bëhet me taksat e tij. Nëse një portal mediatik i thotë që rruga u shemb sepse u gërrye baza përtej asaj që duhej dhe këtu u bë një krim, qytetari nuk mund të fajësohet për këtë dhe as nuk mund të pritet që qytetari të ndryshojë mendim, duke bërë nga ana e vet institucioni apo qeveria thjesht dhe vetëm një komunikatë apo një konferencë për shtyp.

Qytetari duhet të ketë mundësinë që të gjejë me dokumente, jo me muhabete, me proces verbale jo me komunikata për shtyp çfarë ndodhi realisht dhe çfarë po ndodh realisht.

Kjo e ndryshon tërësisht pozitën e qytetarit dhe kjo i jep qytetarit një nga gjërat, të cilat atij sot i mungojnë shumë, duke e kaluar nga një kërkues në xhungël, në labirinthin e pasqyrave digjitale të informacionit dhe nga një viktimë potenciale e dezinformacionit në një kapacitet të plotë mbikëqyrësi përmes pasqyrës të punëve për të cilat ai mund të informohet nga të gjitha burimet, por tek Pasqyra mund të gjejë të gjithë bazën faktike dokumentare, shifrën, provën, proces verbalin, mendimin e ekspertit, arsyet e vonesës dhe ndërkohë në këtë mënyrë të gjithë personat përgjegjës lidhur me çfarë nuk shkon janë në dritën e diellit ose janë të larë përballë publikut sepse nuk lidhet me përgjegjësinë e tyre të drejtpërdrejtë rrëshqitja e një kodre ose janë aty të pajustifikueshëm me deklarata dhe me postime të rastit.

Qytetari sot duhet të bëjë shumë përpjekje dhe shpesh të pasuksesshme për të ditur se cila zyrë mban çelësin e fatit të një çështje që lidhet me të. Shteti ka detyrimin të ketë një adrese të vetme, publike për faktin, për dokumentin, për statusin dhe për provën e çdo pune të madhe dhe çdo halli të vogël. Një!
Tani në hamendësimet e bëra thuhet që Pasqyra është një tjetër hap që vjen nga përpjekja për të mbuluar dështimin e Platformës së Bashkëqeverisjes, ndërkohë që kjo është e pavërtete, jo vetëm se platforma e bashkëqeverisjes nuk ka dështuar, por sepse platforma e bashkëqeverisjes do të jetë pjesë e pasqyrës, ama çfarë Platforma e Bashkëqeverisjes nuk ka bërë dot më sot, Pasqyra do ta garantoje edhe përmes platformës së bashkëqeverisjes që aktualisht është në një proces transformimi për shkak se përsëri e nënvizoj nuk e kemi pasur instrumentin e jashtëzakonshëm që kemi sot, inteligjencën artificiale. E-Albania do të jetë pjesë përbërëse po ashtu e Pasqyrës dhe dosja personale, dokumentet individual, komunikimi vetjak për çështje shërbimesh apo çështje hallesh të një qytetari mbeten të mbrojtura dhe vazhdojnë të kryhen përmes e-Albania ose në kanalin përkatës ku zgjidhet çështja.

Pra halli individual vazhdon të trajtohet me dinjitet dhe me konfidencialitet, por risia është që halli individual nuk mbetet jetim në mjegullën e padepërtueshme të xhunglës digjitale. Pasqyrë Albania publikon në kohë reale për çdo qytetar, ku ngec një shërbim për të. Pasqyrë Albania informon çdo qytetar të interesuar sa zgjat përgjigja që ai do të presë. Pasqyrë Albania mban në kontakt të vazhdueshëm çdo qytetar që do të jetë në kontakt të vazhdueshëm për çdo ndryshim që bëhet në korpusin legjislativ dhe në korpusin rregullator të Republikës së Shqipërisë dhe Pasqyrë Albania do të fitojë një kapacitet të ri që çdo qytetari që do dëshirojë të jetë i informuar përmes celularit për çfarë ndodh në fushën e tij të jetës, pra një sipërmarrës i vogël do të jetë i informuar çfarë ndryshimesh ndodhin në ligj apo në vendimet e qeverisë për çfarë i takon biznesit të vogël, ndryshimin ai e merr në whatsapp-in e tij në kohë reale, sapo ndodh dhe i thuhet “sot ka hyrë në fuqi ky vendim”, “sot ka hyrë në fuqi ky ligj”; “sot drejtoria e tatimeve të Republikës së Shqipërisë ka nxjerrë këtë urdhëresë” dhe si ky sipërmarrësi i vogël çdokush sipas profesionit dhe fushës së interesit regjistron në Pasqyrë Albania dëshirën për të qenë i lajmëruar.

Që do të thotë që “Pasqyrë Albania” nuk mbledh të dhëna jashtë dijenisë së cilitdo qoftë dhe nuk përdor të dhënat e mbledhura për shkak se dikush ka hyrë te e-Albania për të marrë një shërbim për t’i çuar pastaj atij një njoftim që mund të jetë një njoftim në shërbim të tij, por vetëm nëse individi i thotë shtetit: “unë dua që ti të më njoftosh mua sapo ta nxjerrësh vendimin. Nuk dua ta marr vesh pas një viti kur të më vijë fatura që ke vendosur një tarifë të re apo që ke bërë një ndryshim. Nuk dua fare të dëgjoj nga ndërmjetësit mediatik apo të keq informohem nga pasqyrat meditatike. Dua që ti, shteti im të më japësh mua informacion në kohë reale”.

Top Channel