Tentoi të trafikonte pistoletën drejt Britanisë së Madhe, arrestohet 42-vjeçari në Rinas: Nuk e kisha për qëllim të…

02/09/2026 14:07

Një 42-vjeçar është arrestuar në Aeroportin e Rinasit pasi gjatë kontrollit në dalje të Shqipërisë iu gjet një pistoletë me municion në bagazh.

Sokol Krasniqi, shtetas shqiptar me nënshtetësi britanike, po udhëtonte drejt Mbretërisë së Bashkuar së bashku me bashkëshorten dhe katër fëmijët e tij të mitur.

Sipas Policisë Kufitare, arma u zbulua përmes skanerit gjatë kontrollit të bagazheve. Bëhet fjalë për një pistoletë që kishte një fishek në fole, ndërsa në karikator u gjetën edhe gjashtë fishekë të tjerë.

Krasniqi, i cili prej disa vitesh jeton në Britaninë e Madhe, u vu në pranga në flagrancë dhe arma u sekuestrua si provë materiale.

Pas arrestimit, 42-vjeçari ka dhënë versionin e tij për mënyrën se si arma kishte përfunduar në bagazh. Ai ka deklaruar se gjatë qëndrimit për pushime në zonën e Tropojës kishte dalë për qitje me disa miq.

Sipas pretendimit të tij, pas aktivitetit pistoletën dhe karikatorin i kishte lënë pa dashje në çantë dhe nuk kishte kuptuar se po udhëtonte drejt Rinasit me armën me vete.

Materialet procedurale për rastin i janë referuar Prokurorisë për veprime të mëtejshme, ndërsa hetimet vijojnë për të zbardhur rrethanat e plota të posedimit dhe tentativës për nxjerrjen e armës nga Shqipëria.

Top Channel