Protesta e 95-të, tubuesit marshojnë te Blloku i Sigurisë ku mbahen të shoqëruarit: Më 7 shtator rrethojmë Kryeministrinë

02/09/2026 21:55

Këtë të mërkurë mbahet protesta e 95-të para Kryeministrisë, me kërkesën për largimin e qeverisë Rama. Tubimi vjen një ditë pas protestës së 94-të, e cila u shoqërua me tensione dhe përplasje mes protestuesve dhe forcave të Policisë së Shtetit.

Një prej protestuesve u shpreh se protesta e djeshme ishte vetëm një paralajmërim, ndërsa deklaroi se më 7 shtator, në ditën e 100-të të rezistencës, protestuesit synojnë të rrethojnë Kryeministrinë.

“Në ditën e 94-t, i dolëm përballë Ramës, kokës së krimit dhe i treguam se nuk ikim derisa të ikësh ti. Sot mesa duket është kujdesur të ikë nga zyra para se të vijmë ne. Kështu që të gjithë duhet të jemi gati në çdo moment e ditë që kur ta shohim, është detyra qytetare që t’i dalim para dhe t’i tregojmë se nuk kemi frikë”, tha ai.

Pas protestës së djeshme dhe përplasjeve me policinë, protestuesit kanë vijuar marshimin në rrugët e Tiranës. Më pas, ata janë grumbulluar pranë Bllokut të Sigurisë në rrugën “Mine Peza”, ku mbahen personat e shoqëruar nga policia gjatë protestës së djeshme.

Protestuesit kanë kërkuar lirimin e personave të shoqëruar, ndërsa qëndrimi i tyre pranë ambienteve të Bllokut të Sigurisë është shoqëruar me thirrje kundër qeverisë dhe policisë.

Protestuesi paralajmëroi gjithashtu përshkallëzim të protestës më 7 shtator, duke u bërë thirrje qytetarëve që të marrin pjesë në tubimin e 100-ditëshit të rezistencës.

“Dje u detyrua të ikë. Ne do të qëndrojmë derisa ai dhe qeveria e tij të largohet. Dua t’i them Edi Ramës se ajo që ke parë për 95 ditë, ajo që ke parë dje, nuk është asgjë sepse nuk ke parë asgjë akoma. 7 shtator, në 100-ditëshin e kësaj rezistence paqësore, i bëj thirrje çdo shqiptari që jo vetëm të bllokojë hyrjen e Kryeministrisë, por ta rrethojë të gjithën”, u shpreh ai.

 

Top Channel