Kuorumi prej 80 deputetësh për zgjedhjen e presidentit të Kosovës nuk do të sigurohet nga Lëvizja Vetëvendosje dhe Lidhja Demokratike e Kosovës.
Palët më 31 gusht propozuan si kandidat Bekim Sejdiun, ish-gjyqtarin e Gjykatës Kushtetuese, i cili të martën nuk mori mbështetjen e gjashtë deputetëve të LDK-së.
Për Lëvizjen Vetëvendosje, marrëveshja është ende valide dhe Albin Kurti synon ta takojë prapë kryetarin e LDK-së, Lumir Abdixhikun.
“Do të zhvillojmë edhe takime edhe mbledhje, për ne, marrëveshja politike ende është valide”, tha Albin Kurti.
Megjithatë, veprimi i deputetëve të LDK-së, sipas kryetarit të partisë, Lumir Abdixhikut, e çon vendin në zgjedhje.
“Dje u refuzua zgjidhja e Presidentit të Kosovës. U refuzua votimi i kandidatit të propozuar nga LDK-ja dhe, me këtë refuzim, u përcaktua edhe fati i vendit, zgjedhje të reja. Dëm mund të bëjë çdo kush. Për këtë, ja dora”, ka shkruar Abdixhiku, derisa ka shprehur indinjatën me gjashtë deputetët e tij.
Zhvillimet e fundit, sipas njohësve, tregojnë se vendi është më afër zgjedhjeve të reja sesa një marrëveshjeje për president.
“Mund të konsiderohet se ka pasur një dështim dhe në të njëjtën kohë që vendi është më afër zgjedhjeve të reja sesa mund të ketë një marrëveshje të re. Krejt kjo situatë ndodhet në duart e z. Kurti, varësisht se si dëshiron të orientojë situatën”, tha analisti Arbnor Sadiku.
Nëse Albin Kurti dëshiron të dërgojë vendin në zgjedhje ose të gjejë zgjidhje për president, njohësit thonë se ka dy opsione.
“Nëse dëshiron të shkojë në zgjedhje, mund ta dërgojë vendin menjëherë. Nëse dëshiron të gjejë zgjidhje, me këtë kandidat të gjejë ndonjë votë duke negociuar me ndonjë deputet të partive veç e veç apo edhe të ndryshojë fare kandidatin”, tha analisti Arbnor Sadiku.
Albin Kurti, si kryetar i partisë fituese të zgjedhjeve, Lëvizjes Vetëvendosje, e ka derën e bashkëpunimit të mbyllur në Partinë Demokratike të Kosovës, të cilët kanë thënë se do të mbesin në opozitë. Ndërkohë që Aleanca ka gjashtë kushte, në mesin e të cilave edhe pranimi i projektit të gazit amerikan; e pa plotësuar këto, thonë se nuk e ndihmojnë Kurtin në zgjedhjen e presidentit.
Kosova më 7 qershor mbajti zgjedhjet e fundit të jashtëzakonshme, pasi në fillim të vitit nuk arriti të zgjedhë presidentin e ri.
Top Channel