Zbardhen 8 raste vjedhjesh në Durrës, arrestohet një person dhe shpallet në kërkim bashkëpunëtori i tij

01/09/2026 12:19
foto ilustruese

Policia e Durrësit ka finalizuar operacionin e koduar “Midsummer”, në kuadër të të cilit janë zbardhur 8 raste vjedhjesh të kryera gjatë muajve korrik dhe gusht 2026.

Sipas policisë, nga hetimet janë identifikuar dy persona të dyshuar si autorë të këtyre vjedhjeve. Njëri prej tyre, shtetasi Gëzim Thartori, 49 vjeç, banues në Durrës, është arrestuar në flagrancë pas një vjedhjeje të një telefoni celular.

Ndërkohë, vijon puna për kapjen e personit tjetër të dyshuar, shtetasit M. B., 32 vjeç, banues në Durrës.

Nga veprimet hetimore dyshohet se dy personat kanë vepruar në bashkëpunim dhe gjatë periudhës korrik-gusht kanë kryer 8 vjedhje të ndryshme.

Sipas të dhënave të policisë, në 6 raste janë vjedhur portofola, telefona celularë dhe sende personale, ndërsa në dy raste të tjera dyshohet se janë vjedhur matësa të energjisë elektrike.

Policia bën me dije se hetimet vijojnë për të dokumentuar edhe raste të tjera të mundshme vjedhjesh të kryera nga personat nën hetim.

Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës për veprime të mëtejshme.

Top Channel