Rusia godet me dronë Kievin gjatë natës, 12 viktima dhe 17 të plagosur

01/09/2026 09:23

Të paktën 12 persona kanë humbur jetën dhe 17 të tjerë janë plagosur, përfshirë dy fëmijë, në sulmet ruse me raketa dhe dronë gjatë natës në Kiev.

Në Kiev, gjashtë nga tetë viktimat ishin punonjës të kompanisë shtetërore hekurudhore Ukrzaliznytsia, pasi u godit një depo. Zjarre u raportuan në tre lagje qyteti. Katër persona u vranë në qytetin Boryspil, ku u godit një ndërtesë banimi.

Ushtria ruse tha se “sulmi i saj masiv duke përdorur armë me precizion të lartë” kishte në shënjestër objektet “ushtarako-industriale dhe të energjisë së karburantit” të Ukrainës.

Një person u vra gjithashtu në sulmet ukrainase në rajonin perëndimor të Belgorod-it të Rusisë, tha guvernatori në detyrë Aleksandr Shuvaev.

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky tha sot në mëngjes se gati 350 punonjës shpëtimi kishin punuar gjatë gjithë natës në Kiev dhe në rajonin përreth pas sulmeve të fundit.

Në një postim në mediat sociale, ai tha se Rusia kishte qëlluar një “numër të konsiderueshëm dronësh reaktivë dhe raketash balistike”.

Tetë rajone të tjera ukrainase u sulmuan, tha Zelensky, duke shtuar se një shtetas indian ishte midis viktimave.

Sulmet e fundit vijnë pasi 38 persona u vranë në sulmet ruse në një depo armësh në rajonin e Kievit të premten, duke shkaktuar shpërthimin e predhave, minave dhe dronëve.

Të hënën, kryeministri indian Narendra Modi i kërkoi Putinit t’i jepte fund luftës, duke thënë se çdo ditë konflikti e kthen njerëzimin prapa.

Ekonomia e Indisë varet shumë nga nafta me çmime të ulëta nga Moska.

Top Channel