Ministri Hoxha takim me homologun slloven: Forcim i mëtejshëm i lidhjeve ekonomike, Shqipëria e përkushtuar për të ruajtur ritmin e reformave drejt BE-së

01/09/2026 11:13

Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha, e ka nisur pjesëmarrjen në Forumin Strategjik të Bledit në Slloveni me një takim me ministrin e Jashtëm slloven, Tone Kajzer.

Në fokus të diskutimeve mes dy ministrave ishte procesi i anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian, e ardhmja e Evropës dhe rëndësia strategjike e Ballkanit Perëndimor, ndërsa vëmendje iu kushtua edhe forcimit të marrëdhënieve ekonomike dhe kontakteve mes qytetarëve të dy vendeve.

Përmes një postimi në rrjetin social X, Hoxha theksoi se Shqipëria dhe Sllovenia ndajnë të njëjtin qëndrim se zgjerimi i Bashkimit Evropian duhet të mbështetet te merita, reformat, rezultatet dhe besimi i ndërsjellë. Ministri nënvizoi gjithashtu se integrimi i Ballkanit Perëndimor në BE është gjithnjë e më shumë një domosdoshmëri gjeopolitike dhe një investim për një Evropë më të fortë, më të sigurt dhe më të qëndrueshme.

Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha, postim në X:

Bled, Slloveni – Jam shumë i kënaqur që e fillova ditën time në Forumin Strategjik të Bledit #BSF26 me një shkëmbim interesant me Ministrin e Jashtëm të Sllovenisë, Tone Kajzer.

Patëm një shkëmbim thelbësor mbi anëtarësimin e Shqipërisë në BE, të ardhmen e Evropës dhe rëndësinë strategjike të Ballkanit Perëndimor. Gjithashtu diskutuam nevojën për të forcuar më tej lidhjet tona ekonomike dhe kontaktet njerëzore, duke i sjellë ato në përputhje me dialogun e shkëlqyer politik midis dy vendeve tona.

Shqipëria dhe Sllovenia ndajnë bindjen se zgjerimi i BE-së është, para së gjithash, një proces i bazuar në meritë, i fituar përmes reformave, rezultateve dhe besimit të ndërsjellë. Në të njëjtën kohë, është gjithnjë e më shumë një imperativ gjeopolitik dhe një investim në një Evropë më të fortë, më të sigurt dhe më të qëndrueshme.

Shqipëria është plotësisht e përkushtuar për të ruajtur ritmin e reformave dhe për të përmbushur angazhimet e saj, me objektivin e avancimit me vendosmëri drejt përfundimit të negociatave të anëtarësimit në Bashkimin Evropian brenda kësaj dekade

Top Channel