Përmbytjet shkatërruese në Nepal, 590 shtetas të huaj nga 39 vende mes të zhdukurve
Policia zvicerane ka arrestuar një 43-vjeçar të dyshuar si autor të të shtënave me armë zjarri në një festë rave në Aarau, kantoni Aargau, ku humbi jetën një 22-vjeçare italiane, Maria Spinelli.
Ngjarja e rëndë ndodhi të dielën në mëngjes, pak pas orës 02:30, në hipodromin Schachen, ku përveç viktimës u plagosën edhe pesë persona të tjerë.
Sipas policisë të Aargaut, i arrestuari është i dyshuar për përfshirje në sulm dhe autoritetet besojnë se ai ka vepruar i vetëm. Arrestimi u krye gjatë natës, rreth orës 01:00, ndërsa njoftimi për ndalimin e tij u bë publik të hënën.
Hetuesit po punojnë për zbardhjen e plotë të rrethanave, motivit dhe mënyrës se si ndodhi sulmi. Deri tani, sipas raportimeve, të shtënat dyshohet se janë kryer në dy zona të ndryshme dhe me dy armë të ndryshme: një pistoletë 9 mm dhe një pushkë sulmi.
Disa dëshmitarë kishin folur fillimisht për mundësinë e dy autorëve, por hetuesit po shqyrtojnë edhe pistën që një person i vetëm mund të ketë përdorur dy armë gjatë sulmit.
Mes të plagosurve janë edhe dy shtetas italianë, Fabrizio Grande dhe Lorenzo Lombardo, të cilët sipas mediave italiane kanë marrë trajtim për dëmtime të lehta dhe janë larguar nga spitali.
Ndërkohë, familja e viktimës Maria Spinelli është në pritje të përfundimit të procedurave ligjore dhe autopsisë, përpara se të udhëtojë drejt Zvicrës. Hetimet për ngjarjen vijojnë dhe autoritetet pritet të japin më shumë detaje në ditët në vijim.
Top Channel