Viti i ri arsimor/ Ministri Hoxha: Mbi 17 mijë tekste për fëmijët në diasporë, gjuha shqipe në themel të trashëgimisë sonë

31/08/2026 11:11

Mbi 17 mijë tekste mësimore do të shpërndahen për fëmijët shqiptarë në Diasporë për vitin e ri shkollor 2026-2027.

Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha, bëri të ditur se janë parashikuar mbi 5,700 paketa mësimore për nxënësit në 15 shtete të Evropës, si dhe në SHBA dhe Kanada.

Tekstet përfshijnë lëndët “Gjuha shqipe” dhe “Kultura shqiptare”, ndërsa për herë të parë këtë vit do të përfshihet edhe niveli i tretë, duke synuar forcimin e mësimit të gjuhës dhe ruajtjen e identitetit shqiptar në Diasporë.

Videomesazh i Ministrit për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha:

Përpara nisjes në një aktivitet ndërkombëtar, dua të them dy fjalë për librat për vitin shkollor 2026–2027 në Diasporë.

Janë parashikuar mbi 5700 paketa mësimore, ose rreth 17 mijë tekste, për 15 shtete në Evropë, si dhe në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe në Kanada.

Bëhet fjalë për tekstet e përbashkëta “Gjuha shqipe” dhe “kultura shqiptare” për nivelet e parë, të dytë dhe të tretë.

Në bashkëpunim me Qendrën e Botimeve për Diasporën, si dhe Ministrinë e Arsimit, do të bëjmë çmos të plotësojmë 100 për qind të kërkesave.

E veçanta e këtij viti shkollor është përfshirja e nivelit të tretë, çka përbën një hap të rëndësishëm në konsolidimin e ciklit të plotë të teksteve të përbashkëta për Diasporën.

Përfaqësitë diplomatike janë duke përditësuar të dhënat për numrin real të nxënësve, nivelet që ndjekin, mësuesit dhe adresat e shpërndarjes.

Për të gjithë të interesuarit, prindër e mësues në Diasporë, lutem ndiqni udhëzimet dhe njoftimet e përfaqësive tona diplomatike, ambasadave në secilin vend, për të qenë të informuar në kohë reale.

Top Channel