“Nuk është figurë unifikuese”/ Kandidatura e Bekim Sejdiut për President përplas LDK-në, Avdullah Hoti del kundër

31/08/2026 16:45

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Avdullah Hoti ka dalë kundër kandidaturës së Bekim Sejdiut për president, përkundër që vjen nga marrëveshja e partisë së tij.

“Presidenti i Republikës duhet të jetë figurë unifikuese, e cila ndërton konsensus përtej interesave partiake dhe përfaqëson interesin e përgjithshëm të qytetarëve. Në vlerësimin tim, kjo kandidaturë nuk e përmbush këtë kriter”, ka shkruar Hoti.

Ai shton po ashtu se ish-gjyqtari i Gjykatës Kushtetuese “nuk pasqyron interesat politike dhe parimore të Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe elektoratit të saj”.

“Përkundrazi, mënyra se si është imponuar kjo zgjidhje krijon përshtypjen se LDK ka penguar edhe kandidatura të tjera politike, vetëm për t’i hapur rrugë një kandidature që, në thelb, është po ashtu politike”, ka shkruar Hoti.

Bekim Sejdiu sa ishte gjyqtar në Gjykatën Kushtetuese, ishte gjyqtar raportues edhe në lëndën ku u rrëzua Qeverisa Hoti në vitin 2020.

Mungesa e Avdullah Hotit në seancën për zgjedhjen e presidentit, nuk do arrihej kuorumi prej 80 votash i kërkuar me kushtetutë. Megjithatë, Hoti nuk ka sqaruar nëse do të merrte pjesë ose jo në seancë.

Lidhja Demokratike e Kosovës nesër në orën 14:00 do të mbajë mbledhjen e kryesisë së partisë, derisa ka zëra që thonë se Lumir Abdixhiku, nuk u konsultua me organet brenda partisë për kandidaturën e Bekim Sejdiut.

Në kundërshtimin e kandidaturës së Sejdiut, Hoti tha se nuk ka të bëjë me çështje personale.

Postimi i plotë:

Nuk e përkrah këtë kandidaturë për President të Republikës së Kosovës, jo për arsye personale, por për një parim politik dhe institucional.

Presidenti i Republikës duhet të jetë figurë unifikuese, e cila ndërton konsensus përtej interesave partiake dhe përfaqëson interesin e përgjithshëm të qytetarëve. Në vlerësimin tim, kjo kandidaturë nuk e përmbush këtë kriter.

Njëkohësisht, kjo kandidaturë nuk pasqyron interesat politike dhe parimore të Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe elektoratit të saj. Përkundrazi, mënyra se si është imponuar kjo zgjidhje krijon përshtypjen se LDK ka penguar edhe kandidatura të tjera politike, vetëm për t’i hapur rrugë një kandidature që, në thelb, është po ashtu politike.

LDK duhet të ketë një qëndrim të qartë, të pavarur dhe të përgjegjshëm. Nuk mund të mbështesim një kandidaturë vetëm për hir të një marrëveshjeje politike, nëse ajo nuk përfaqëson parimet, interesat dhe pritjet e elektoratit të LDK-së.

Kjo nuk është çështje individësh. Është çështje e parimeve, identitetit politik dhe përgjegjësisë që kemi ndaj votuesve tanë.

Zoti e bekoftë Lidhjen Demokratike të Kosovës!

Top Channel