NASA nis teleskopin që mund të zbulojë “universin e padukshëm”: Nga materia e errët te planetet e panjohura

30/08/2026 13:56

Një observator gjigant hapësinor, të cilin shkencëtarët e kanë cilësuar si një “makinë zbulimi”, ka nisur udhëtimin drejt kozmosit.

Teleskopi Hapësinor Nancy Grace Roman i NASA-s pritet të hapë një dritare të re mbi universin dhe të ndihmojë astronomët të zbulojnë objekte që deri më tani kanë qenë tepër të zbehta ose të pamundura për t’u vëzhguar.

Teleskopi u lëshua të dielën në mëngjes nga Qendra Hapësinore Kennedy në Florida, në bordin e një rakete Falcon Heavy të SpaceX. Nisja u krye në orën 07:26 sipas orës lindore të SHBA-së, ndërsa rreth dhjetë minuta më vonë observatori arriti në orbitë.

Gjatë misionit të tij pesëvjeçar, Roman do të përqendrohet te disa prej mistereve më të mëdha të universit. Shkencëtarët shpresojnë të marrin të dhëna të reja për energjinë e errët, forcën misterioze që lidhet me zgjerimin gjithnjë e më të shpejtë të universit, si dhe për materien e errët, e cila besohet se përbën pjesën më të madhe të materies në kozmos, por nuk mund të shihet drejtpërdrejt.

Teleskopi mund të zbulojë gjithashtu galaktika të panjohura, mijëra ekzoplanete, si dhe planetë “endacakë” që nuk rrotullohen rreth asnjë ylli.

Një teleskop ndryshe nga Hubble dhe Webb

Roman pritet të ketë aftësi vëzhguese më shumë se 1,000 herë më të shpejta se Teleskopi Hapësinor Hubble. Ndryshe nga Hubble dhe Teleskopi Hapësinor James Webb, ai do të jetë në gjendje të vëzhgojë zona shumë më të mëdha të qiellit në një kohë të shkurtër.

Shkencëtarët e NASA-s e kanë përshkruar misionin si krijimin e një “atlasi të ri të universit”. Roman do të udhëtojë për rreth tre muaj përpara se të arrijë pozicionin e tij përfundimtar orbital, rreth 1.6 milionë kilometra larg Tokës, në pikën e njohur si Lagrange 2. Në të njëjtën zonë ndodhet edhe teleskopi James Webb.

Gjatë kësaj periudhe do të testohen instrumentet e observatorit dhe do të vendoset antena që do të transmetojë të dhënat dhe imazhet drejt Tokës. Sipas NASA-s, teleskopi pritet të dërgojë rreth një terabajt të dhëna çdo ditë.

Mund të zbulojë dhjetëra mijëra botë të reja

Një prej objektivave më emocionuese të misionit është kërkimi për planetë jashtë sistemit tonë diellor. Roman do të vëzhgojë vazhdimisht zona të caktuara të qiellit për të identifikuar objekte të reja dhe të pazakonta. Shkencëtarët presin që teleskopi të mund të zbulojë dhjetëra mijëra botë që nuk njihen aktualisht.

Në mesin e tyre mund të jenë edhe planetë të zbehtë që nuk kanë një yll rreth të cilit të orbitojnë, si dhe vrima të zeza të vogla që enden në hapësirë. Astronomët shpresojnë gjithashtu të marrin provat e para definitive për ekzistencën e ekzohënave, pra hënave që rrotullohen rreth planetëve jashtë sistemit tonë diellor.

Në kërkim të materies dhe energjisë së errët

Një tjetër mision kyç i Roman është studimi i energjisë së errët. Universi ka qenë duke u zgjeruar që nga Big Bang-u, rreth 13.8 miliardë vjet më parë. Megjithatë, vëzhgimet kanë treguar se zgjerimi i tij është përshpejtuar rreth 6 miliardë vjet më parë. Shkencëtarët ende nuk e dinë se çfarë e shkakton këtë përshpejtim.

Roman do të përdorë, ndër të tjera, shpërthimet e yjeve të njohura si supernova për të matur distancat kozmike dhe për të kuptuar më mirë mënyrën se si është zgjeruar universi me kalimin e kohës.

Teleskopi do të ndihmojë gjithashtu në krijimin e një harte tredimensionale të materies së errët, duke matur mënyrën se si graviteti përkul dritën gjatë udhëtimit të saj në distanca të mëdha.

Materia e errët nuk është vëzhguar drejtpërdrejt, por shkencëtarët besojnë se ajo përbën rreth 85 për qind të të gjithë materies në univers dhe ndihmon në mbajtjen e yjeve dhe galaktikave në strukturat e tyre.

Një hap drejt kërkimit për jetë jashtë Tokës

Roman ka gjithashtu një instrument eksperimental të quajtur koronograf, i cili mund të ndihmojë në vëzhgimin e planetëve që ndodhen pranë yjeve shumë të ndritshëm.

Problemi kryesor është se drita e një ylli është aq e fuqishme sa mund të “mbysë” dritën shumë më të dobët të një planeti që ndodhet pranë tij.

Koronografi i Roman do të veprojë si një lloj mburoje ndaj dritës së yllit, duke u mundësuar astronomëve të dallojnë planetë që më parë ishin tepër të vështirë për t’u parë.

Instrumenti është projektuar të jetë 100 deri në 1,000 herë më i fuqishëm se koronografët e përdorur më parë në teleskopët hapësinorë.

Nëse teknologjia funksionon siç pritet, ajo mund të shërbejë si një hap i rëndësishëm drejt një misioni edhe më ambicioz: Observatorit të Botëve të Banueshme.

Ky projekt është ende në fazën e konceptit, por synimi i tij është të fotografojë planetë të ngjashëm me Tokën dhe të kërkojë në atmosferat e tyre gjurmë kimike që mund të lidhen me jetën.

“Do të zbulojmë gjëra që nuk e dinim se ekzistonin”

Shkencëtarët e NASA-s besojnë se një prej vlerave më të mëdha të Roman do të jetë aftësia për të zbuluar objekte që sot as nuk i kërkojmë, thjesht sepse nuk e dimë se ekzistojnë.

Të dhënat e teleskopit do të bëhen publike pasi të përpunohen në Tokë, duke u dhënë astronomëve në mbarë botën mundësinë t’i përdorin për kërkime të reja.

Për NASA-n, Roman nuk është thjesht një tjetër teleskop hapësinor. Ai është një instrument që mund të ndryshojë mënyrën se si njerëzimi e vëzhgon kozmosin dhe të hapë rrugën drejt pyetjeve të reja për origjinën, strukturën dhe të ardhmen e universit.

Top Channel