Erjona Ismaili jep dorëheqjen si bashkëkryetare e PS në Vlorë, ministrja: Mirënjohëse për gjithçka që ndërtuam së bashku

30/08/2026 16:03

Ministrja e Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Erjona Ismaili ka dhënë dorëheqjen si bashkëkryetare e PS në Vlorë.

Me anë të një postimi në rrjetin e saj social në Facebook, Ismaili ka njoftuar dorëheqjen nga ky post.

Ministria është shprehur se ka qenë një privilegj dhe përgjegjësi të ishte bashkëkryetare, ndërsa shton se me largimin e saj i hap rrugë procesit demokratik të përzgjedhjes së drejtuesve të rinj të Partisë Socialiste të Vlorës.

Reagimi i plotë:

Ka qenë privilegj dhe përgjegjësi që, për 1 vit e 3 muaj, të drejtoja si bashkëkryetare Partinë Socialiste të Vlorës, falë besimit dhe mundësisë së dhënë nga Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama.

Një detyrë që jam përpjekur ta ushtroj me përkushtim, korrektësi dhe integritet, e vetëdijshme për përgjegjësinë që mbart drejtimi dhe përfaqësimi i një strukture kaq të rëndësishme.

Sot, në kuadër të fazës së fundit të riorganizimit të Partisë Socialiste, jap dorëheqjen nga detyra e bashkëkryetares, duke i hapur rrugë procesit demokratik të përzgjedhjes së drejtuesve të rinj të Partisë Socialiste të Vlorës.

Faleminderit çdo socialisti, anëtari, drejtuesi dhe bashkëpunëtori për mbështetjen, besimin dhe punën e përbashkët gjatë kësaj periudhe, duke më nxitur të jap më të mirën dhe të kontribuoj për një model drejtimi të bazuar te puna, përgjegjësia dhe respekti për njerëzit.

Mirënjohëse për këtë kapitull dhe për gjithçka ndërtuam së bashku.

Top Channel