“Më vjen zor që jam në këtë tavolinë”/ Debati i plotë në mbledhjen e KLP-së për zgjedhjen e Prokurorit të ri të Përgjithshëm: Ky këshill nuk është në terezi

29/08/2026 16:15

Procesi për zgjedhjen e Prokurorit të ri të Përgjithshëm është shoqëruar me debate të forta brenda Këshillit të Lartë të Prokurorisë. Në qendër të përplasjes është kërkesa e kandidatit Ylli Pjetërnikaj për përjashtimin e anëtarit të KLP-së, Vate Staka, për shkak të pretendimit për konflikt interesi.

Gjatë diskutimeve, anëtarët e Këshillit shkëmbyen akuza dhe kërkesa të ndërsjella për përjashtim. Sokol Stojani kërkoi që çështja të shqyrtohej pa vonesa, ndërsa debati u përshkallëzua me akuza për njëanshmëri, paragjykim dhe presion ndaj Këshillit.

Në një moment, diskutimi kaloi edhe në tone personale, me përplasje për formimin dhe mënyrën e sjelljes së anëtarëve. “Më vjen zor që jam në këtë tavolinë”, u shpreh një prej anëtarëve, duke kritikuar nivelin e debatit.

Situata u tensionua më tej pas kërkesave të reja për përjashtimin e anëtarëve të tjerë, përfshirë edhe kryetaren e KLP-së, Mirela Bogdani. “Ky këshill nuk është më në terezi, ta marrin vesh të gjithë”, ishte një tjetër reagim gjatë debatit.

KLP ende nuk ka nisur procedurën e plotë për vlerësimin e pesë kandidatëve për postin e Prokurorit të Përgjithshëm, ndërsa afati për zgjedhjen e pasuesit të Olsian Çelës po afron.

Pjesë nga debati:

Zeqir Hoda: Zonja kryetare, ju do ta lexoni e unë kam të drejtën time për ta lexuar. Kur unë të bëj parashtrimin tani në vijim të këtij kërkimi, unë do ta nis me leximin e kërkesës të zotit Pjetërnikaj për të shkuar te argumenti pse kam kërkuar dosjen 21/32 të vitit 2018 dhe do ta nis me këtë, pra edhe po s’e bëtë ju, unë kam të drejtën e fjalës, se ju dhunshëm nuk mund të më nxirrni nga kjo sallë, asnjëri këtu.

Me thelbin e kërkesës së zotit Pjetërnikaj mund të ketë pretendime të tjera që lidhen me thelbin e kërkesës.

Mirela Bogdani: Pyetja ime është, nëse ndjekim kronologjinë, ka bërë kërkesën Ylli Pjetërnikaj për Stakën, zoti Staka në këtë moment a duhet të jetë i pranishëm në sallë apo jo? Duhet të jetë e qartë procedura. Këshilli sot mbajti një qëndrim për një rast të ngjashëm, zoti Merkuri doli jashtë. Nuk mund të mbajë dy standarde në një ditë.

Unë do parashtroj qëndrimin tim e pastaj do dal nga salla, kështu që nëse doni, vijojmë.

Çështja nuk është kjo, kemi filluar procedurën, do parashtrojmë njëherë kërkesën e më pas do vijmë me pretendimet e tjera?

Sokol Stojani: Kërkesa që bëhet nga një aplikant, si Ylli Pjetërnikaj, duhet të shqyrtohet nga Këshilli. Edhe ne nuk e dimë në kuadër të kërkesës së bërë nga zoti Staka, ne nuk e dimë a duhet pjesë e këshillit zoti Hoda apo jo për të qenë. Kërkesën e zotit Ylli Pjetërnikaj o e lexon sot, ose herën tjetër.

Mirela Bogdani:Pse kërkesa e dytë duhet trajtuar me përparësi?

Sokol Stojani: Edhe një herë, nëse nuk e kuptoni.

Mirela Bogdani: Jo, kam nevojë të na sqarosh se nuk e kuptova.

Kërkesën e përjashtimit duhet ta vendosë këshilli.

Kush e bën kërkesën?

E ka bërë një që ka aplikuar.

Po jo more, zoti Staka nuk është person që aplikon, unë po them kush duhet shqyrtuar e para.

Sokol Stojani: Më thjesht se kaq nuk di si ta shpjegoj.

Fiket mikrofoni.

Sokol Stojani: O zonja Riza, kujdes kur përdor shumësin, mos përdor shumësin, zonja Riza e përdor shumësin, e gjithë ideja është që ne nuk mund t’i shmangim gjërat e t’i çojmë në pafundësi. Tani mendoje që një nga anëtarët, edhe ai që është prekur që nga kjo situatë. Atëherë mos më thuaj që prita kotë, por jo që e kishe këtë në mendje, është e drejta e personit kur do ta bëjë, mos e lësho gojën të thashë lëre shumësin edhe tani ne nuk i themi dot njëri-tjetrit që pse ke rezerva.

Zeqir Hoda: Për mënyrën se si e ka paraqitur zoti Staka kërkesën, i takon që unë të kërkoj përjashtimin e zotit Stojani për mënyrën se si arsyeton kërkimin e zotit Staka.

Sokol Stojani: Po kërkoje.

Zeqir Hoda: Nuk është problemi që a e kërkojë, a nuk e kërkojë, problemi është tek serioziteti edhe integriteti që ne do përvijojmë në këtë procedurë. Edhe unë them që ju nuk duhet të merrni pjesë në vlerësimin që këshilli do të bëjë kërkesës së zotit Staka për përjashtimin tim nga vlerësimi i kërkesës së zotit Pjetërnikaj për përjashtim e zotit Staka, kjo është ideja.

Po thuaja.

Pra, një vlerësim që sapo zoti Stojani i bëri kërkesë të marrë procesverbalin, i bëri një kërkim zoti Staka për mënyrën se si e ka arsyetuar edhe mënyrë sintetike që i ka parashtruar argumentet. Në vlerësimin tim është qëndrim vlerësues. Unë dyshoj nga objektiviteti i z. Stojani dhe kërkoj përjashtimin e tij nga shqyrtimi i kërkesës së z. Staka për përjashtimin tim në këtë procedurë.

Sokol Stojani: Me këtë banalitet po them edhe qeshja e zonjës kryetare ishte muhabet kotë, bëj kërkesat një nga një.

Zeqir Hoda: Kërkoj zbardhjen e procesverbalit dhe pastaj të shqyrtohet kërkesa ime për përjashtimin e z. Stojani.

Sokol Stojani: Qeshjet dhe nënqeshjet e zonjës kryetare, ndaj unë kërkoj përjashtimin e saj sepse tregon një qëndrim ndaj kërkesës të bërë nga zoti Staka. Tani kjo po banalizohet të thuash se kush është rendi edhe të thuash… pse më qesh, për çfarë po më qesh, unë të thashë për çfarë po bëhet procedura, një herë a duhet… se kur e bëri kërkimin zoti Staka është e drejta e tij, ne duhet të kthejmë përgjigje.

Dakord, jemi të qartë për këtë, nuk kemi diskutime.

Merr një moment qetësie me nenin 31, në pikën 3 të ligjit 44 të vitit 2015, palët mund të kërkojnë përjashtimin nga pjesëmarrja apo të një anëtari kolegjial nga një procedurë administrative.

Zeqir Hoda: Për mua qëndrimi që mbajti z. Stojani është arsye që të përjashtohet. Sapo e shprehu qëndrimin.

Sokol Stojani: Ti ke probleme me formimin.
Zeqir Hoda: Kjo është arsye tjetër që unë kërkoj përjashtim, paragjykimi që z. Stojani bën për formimin tim është argumenti tjetër që mua më bën kërkimin më të arsyetuar.

Flasim me radhë.

Sokol Stojani: Çdo kërkesë duhet të ketë arsyetim logjik. Se mund të ketë edhe arsyetime si ai i z. Hoda që “jam djalë i zgjuar se e kam shtëpinë afër bibliotekës”.
Mirela Bogdani: T’i lëmë këto komente, të rrimë te procedura, fokusohemi te kërkesa.

Sokol Stojani: Duket që z. Hoda është i stresuar.

Zeqir Hoda: Shiko anën tënde emocionale.

Sokol Stojani: Po bëhemi qesharakë… ai ka bërë shkollën natën.

Zeqir Hoda: Nuk presionohem nga adresime të tilla, aq më tepër nga ky personi që i adreson. Do përgjigjet. Z. Stojani duhet të përjashtohet… i dituri me 4 klasë shkollë.

Sokol Stojani: E ka humbur z. Hoda… znj. Kryetare, ju qeshët në mënyrë ironike teksa unë jepja opinionin tim.

Mirela Bogdani: Nuk besoj të kem qeshur.

Sokol Stojani: Nëse do biem në këtë lloj banaliteti të vazhdojmë. Unë do të kërkoj përjashtimin tuaj.

Ledina Riza: Më vjen zor që jam në këtë tavolinë…të arrijë niveli i diskutimeve në të tilla banalitete nuk i takon kësaj tavoline. Kërkohet përjashtim jo pse qeshe e pse jo. Të respektojmë kandidatët që kanë aplikuar dhe publikun. Nuk e di nëse mund të qëndrojë në këtë tavolinë.

Sokol Stojani: Ky këshill nuk është më në terezi, ta marrin vesh të gjithë…

Zeqir Hoda: Kjo që po bën z. Stojani tani është presion mbi këshillin. Ky është presion

Top Channel