Ish-presidenti i Ekuadorit shpallet fajtor për ryshfet, Prokuroria kërkon mbi 6 vite burg

29/08/2026 08:34

Gjykata e Ekuadorit ka shpallur fajtor ish-presidentin Lenín Moreno për pranimin e ryshfetit nga një grup kinez ndërtimi, në këmbim të dhënies së një kontrate publike për ndërtimin e hidrocentralit Coca Codo Sinclair.

Prokuroria njoftoi se në këtë çështje korrupsioni janë shpallur fajtorë katër persona, ndërsa gjykata ende nuk ka vendosur dënimin përfundimtar ndaj Morenos. Prokuroria ka kërkuar që ish-presidenti të dënohet me 6 vite e 6 muaj burg.

Sipas akuzës, Moreno ishte pjesë e një rrjeti korrupsioni që veproi gjatë periudhës 2009–2018 dhe që lidhej me kontratën për ndërtimin e hidrocentralit të madh Coca Codo Sinclair, projekt i realizuar nga kompania kineze Sinohydro.

Moreno, 73 vjeç, i cili lëviz me karrige me rrota, i ka mohuar vazhdimisht akuzat. Pas vendimit të gjykatës, ai deklaroi se nuk kishte marrë “asnjë qindarkë nga Sinohydro” dhe pretendoi se çështja ndaj tij është pjesë e një persekutimi politik të orkestruar nga ish-presidenti Rafael Correa.

Sinohydro është akuzuar se ka shpërndarë rreth 76 milionë dollarë ryshfete në kuadër të këtij rasti korrupsioni.

Në të njëjtën çështje janë hetuar rreth dy duzina personash të tjerë, mes tyre gruaja dhe vajza e Morenos, drejtues biznesesh dhe një ish-ambasador kinez në Quito.

Lenín Moreno ishte nënkryetar i Rafael Correas dhe më pas pasuesi i tij në presidencën e Ekuadorit, të cilën e drejtoi nga viti 2017 deri në vitin 2021.

Fillimisht i konsideruar si pasardhës politik i Correas, Moreno u distancua më vonë nga ish-mentori i tij, duke orientuar politikën e vendit drejt Shteteve të Bashkuara.

Ndërkohë, Correa, i cili drejtoi Ekuadorin nga viti 2007 deri në vitin 2017, jeton në Belgjikë. Ai u dënua në mungesë në vitin 2020 me 8 vite burg për korrupsion, ndërsa autoritetet belge i kanë dhënë azil politik.

Top Channel