Autoritetet në Gjermani japin alarmin se ekonomia e vendit po përballet me një rrezik në rritje nga sulmet kibernetike, spiunazhi dhe sabotimi.
Studimi më i fundit i shoqatës gjermane të industrisë së IT-së, Bitkom, tregon se dëmet e shkaktuara nga këto sulme arrijnë në të paktën 211 miliardë euro. Në anketë morën pjesë rreth një mijë drejtues kompanish. Shifra është më e ulët se një vit më parë, kur dëmet u vlerësuan në rreth 289 miliardë euro.
Megjithatë, sipas Bitkom, dëmi real mund të jetë shumë më i madh, pasi shumë raste nuk raportohen. Shërbimet e huaja të inteligjencës po identifikohen gjithnjë e më shpesh si autorë të sulmeve. Përqindja e kompanive që dyshojnë për përfshirjen e tyre është rritur nga 28 në 37%. Sipas të dhënave të studimit, Kina lidhet me 52 % të sulmeve të identifikuara nga kompanitë, ndërsa Rusia me 49 %.
Në rritje të ndjeshme janë edhe sulmet që dyshohet se vijnë nga Irani. Megjithatë, grupet kriminale mbeten aktorët më të shpeshtë. Ato lidhen me rreth 62 % të rasteve. Një tjetër faktor që po e ndryshon situatën është inteligjenca artificiale. Sulmuesit po e përdorin atë për të realizuar operacionet më shpejt, ndërsa kompanitë po përpiqen ta përdorin për të forcuar mbrojtjen.
Në mënyrë të veçantë, autoritetet gjermane paralajmërojnë për rrezikun ndaj industrisë së armatimeve dhe kërkimeve në fushën e teknologjisë së dronëve, teksa theksojnë se aktorët e huaj shtetërorë po përdorin gjithnjë e më shumë grupe kriminale kibernetike dhe persona të rekrutuar në Gjermani për akte sabotazhi.
Top Channel