SHBA-Venezuelë pranë marrëveshjes/ Trump në bisedime për pronësinë mbi fushat e naftës, në lojë 90 miliardë fuçi

28/08/2026 07:44

Administrata e Donald Trump është në bisedime me qeverinë e përkohshme të Venezuelës për të marrë një pjesë të pronësisë mbi burimet e naftës së vendit të Amerikës së Jugut, raporton Axios, duke cituar dy zyrtarë amerikanë.

Sipas raportimit, marrëveshja është ende duke u negociuar dhe nuk është finalizuar. Bisedimet përqendrohen në më shumë se një duzinë fushash nafte në prodhim, në pronësi të Venezuelës dhe që më parë kanë qenë pranë qendrave të pushtetit dhe interesave të lidhura me Kinën.

Fushat në fjalë vlerësohet se përmbajnë rreth 90 miliardë fuçi naftë, ndërsa rezervat e provuara të Venezuelës arrijnë në rreth 300 miliardë fuçi.

Sipas propozimit në diskutim, Shtetet e Bashkuara do të merrnin një pjesë të pronësisë mbi këto fusha, ndërsa kompanitë private, përfshirë ato amerikane, do të angazhoheshin për zhvillimin dhe shfrytëzimin e tyre. Në këtë mënyrë, qeveria venezueliane do të siguronte të ardhura nga prodhimi i naftës.

Një marrëveshje e tillë do të kishte një ndikim të rëndësishëm në sektorin energjetik amerikan. Sipas raportimit, pjesa e pronësisë që do të merrnin Shtetet e Bashkuara mund të rriste ndjeshëm rezervat amerikane të naftës.

Axios vlerëson se, nëse marrëveshja do të realizohej, ajo mund të përcaktonte trashëgiminë e Donald Trump, i cili ka vendosur në qendër të politikës së tij sigurinë dhe autonominë energjetike të SHBA-së, si dhe forcimin e dominimit amerikan në Hemisferën Perëndimore.

Trump kishte diskutuar privatisht për mënyrat për të siguruar një pjesë të fushave të naftës së Venezuelës edhe përpara arrestimit, më 3 janar, të Nicolás Maduros, i cili përballet me akuza për narkoterrorizëm në Nju Jork.

Në korrik, zyrtarë të lartë amerikanë nga Departamenti i Shtetit dhe Departamenti i Mbrojtjes u takuan me homologët e tyre në Karakas për të diskutuar më tej detajet e marrëveshjes së mundshme.

Ende nuk është e qartë se kur mund të finalizohet marrëveshja. Ndërkohë, Sekretari amerikan i Energjisë, Chris Wright, planifikon të udhëtojë drejt Venezuelës javën e ardhshme, në një zhvillim që mund të sinjalizojë avancimin e negociatave.

Top Channel