KLP nën gjurmët e KLGJ-së/ Rriten pagat e prokurorëve, baza e përllogaritjes shkon në 236 mijë lekë

28/08/2026 13:40
Foto ilustruese

Një tjetër vendim që prek pagat në sistemin e drejtësisë është marrë nga Këshilli i Lartë i Prokurorisë. Pas Këshillit të Lartë Gjyqësor, edhe KLP ka përcaktuar pagën referuese për sistemin e prokurorisë.

Me 11 vota pro dhe asnjë kundër, anëtarët e KLP-së vendosën që paga referuese të jetë 222.425 lekë. Kësaj shume i shtohen edhe 14 mijë lekë për nivelin e kualifikimit, duke e çuar bazën e përllogaritjes në 236.425 lekë.

Edhe pse vendimi zbatohet drejtpërdrejt për anëtarët e KLP-së, për shkak se paga e tyre përllogaritet mbi bazën e pagës së prokurorit, Këshilli i ka kërkuar Prokurorisë së Përgjithshme që të aplikojë të njëjtën pagë referuese për prokurorët.

Në mbledhjen e KLP-së, anëtari Erind Mërkuri e lidhi vendimin me boshllëkun ligjor të krijuar pas një vendimi të Gjykatës Kushtetuese. Sipas tij, pas shfuqizimit të normës përkatëse dhe mosplotësimit të boshllëkut nga Kuvendi, ishte e nevojshme ndërhyrja për të garantuar funksionimin e sistemit. “Jemi të detyruar nga Gjykata Kushtetuese dhe për të mbajtur sistemin në këmbë, pasi paga është baza e funksionimit”, u shpreh Mërkuri.

Ndryshimi i pagës referuese pritet të sjellë një rritje të konsiderueshme të pagave të magjistratëve. Për shkak të formulave të përcaktuara në ligj, efekti financiar është edhe më i madh për drejtuesit e institucioneve të larta të drejtësisë dhe strukturat e posaçme, ku rritja mund të arrijë deri në mbi 3 mijë euro.

Vendimi i KLP-së vjen pas atij të KLGJ-së për rritjen e pagës referuese të gjyqtarëve, duke prekur në këtë mënyrë të dyja hallkat e sistemit të drejtësisë.

Top Channel