Serbët nuk kthehen më në gjykata, lanë detyrën në 2022. KGJK vendos që mos pranohet “pendesa” e gjyqtarëve serbë

27/08/2026 15:16

Këshilli Gjyqësor i Kosovës ka refuzuar kthimin e gjyqtarëve serbë të dorëhequr në vitin 2022.

Pas katër vjetësh, gjyqtarët dhe stafi mbështetës kishin kërkuar tërheqjen e dorëheqjeve të tyre. Megjithatë, me 9 vota pro, një kundër dhe një abstenim, KGJK-ja refuzoi rikthimin e tyre në punë.

Përgjatë mbledhjes së të enjtes, anëtarët arsyetuan votën e tyre kundër kthimit të gjyqtarëve të dorëhequr, e u propozua që të hapet konkursi për plotësimin e hapësirës së lënë nga ta.

“Nuk kam garanci të them për të gjithë, për disa po, ata janë të përfshirë edhe në aktivitete politike. Kështu që një gjyqtar apo staf administrativ që është i përfshirë në aktivitete politike, nuk ka vend në sistemin gjyqësor në Kosovë”, tha anëtari i Këshillit Gjyqësor të Kosovës, Artan Abazi.

“Zgjidhja do të duhej të ishte që të bëhet propozimi që këta gjyqtarë të lirohen nga detyra dhe të hapet konkursi duke i respektuar kuotat kushtetuese”, tha anëtari i Këshillit Gjyqësor të Kosovës, Bashkim Hyseni.

Në mbledhjen e Këshillit Gjyqësor, anëtarja Ivana Milenkoviq ishte e vetmja që votoi në favor të rikthimit të gjyqtarëve serbë të dorëhequr, duke thënë që do të mbrohej rendi kushtetues.

“Me këtë hap do t’u mundësojmë gjyqtarëve që të kthehen në detyrat e tyre, do ta mbrojmë rendin kushtetues dhe do ta rikthejmë sigurinë juridike për qytetarët”, tha anëtarja e Këshillit Gjyqësor të Kosovës, Ivana Milenkoviq.

Vendimin e Këshillit Gjyqësor të Kosovës e ka përshëndetur ushtruesja e detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu, e cila tha se së shpejti do të dekretojë lirimin e gjyqtarëve serbë nga detyra.

Muaj më parë, edhe Këshilli Prokurorial i Kosovës refuzoi rikthimin e prokurorëve serbë të dorëhequr si shenjë proteste ndaj vendimeve të Qeverisë së Kosovës në vitin 2022.

Top Channel