Rusia kërcënon Anglinë, Moska: Forcat britanike mund të goditen edhe jashtë territorit të Ukrainës

27/08/2026 15:19

Londra dhe Parisi po luajnë me zjarrin, paralajmëroi zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme ruse, Maria Zakharova, pas vendimit të Francës dhe Britanisë së Madhe për t’i ofruar Ukrainës edhe më shumë mbështetje ushtarake dhe qasje në teknologji të përparuar.

Kjo lëvizje mund të ketë pasoja të paparashikueshme për vendet europiane, sipas Zakharovës, që veçoi sidomos Anglinë me pretendimin se Rusia mund të godasë objektiva ushtarake britanike, edhe jashtë territorit ukrainas. Moska insiston se çdo forcë e huaj në Ukrainë që, sipas saj, pengon operacionet ruse, do të konsiderohet objektiv ushtarak legjitim.

Këto kërcënime vijnë në një moment të rritjes së tensioneve mes Rusisë dhe vendeve të NATO-s, ndërsa lufta në Ukrainë vijon dhe mbështetja ushtarake perëndimore për Kievin po thellohet. Kremlini ndërkohë i mohon raportimet se Rusia mund të sulmojë vendet e NATO-s, duke i cilësuar ato si të pabazuara dhe larg realitetit.

Zëdhënësi i tij, Dmitry Peskov, tha se lajmet për një sulm të mundshëm rus ndaj NATO-s kanë thjesht për qëllim frikësimin dhe nuk lidhen aspak me qëllimet e Moskës. Sipas Peskov, Rusia po përballet ndërkohë me një politikë gjithnjë e më agresive nga vendet evropiane. Ai akuzoi mediat dhe qarqet perëndimore se po shtrembërojnë realitetin duke spekuluar për planet e Rusisë.

Top Channel