Protesta për “Territorialen” degradon në Maliq, organizatori përplaset fizikisht me gazetarët dhe i ofendon, procedohet penalisht

27/08/2026 11:01

Gjatë protestës së paralajmëruar në Maliq kundër shkrirjes dhe bashkimit me Korçën, në momentin kur gazetarët ishin duke intervistuar disa prej protestuesve, organizatori Arjan Asimi ka sulmuar të gjithë gazetarët duke pasur edhe përplasje fizike dhe ofenduar ata gjatë ushtrimit të detyrës.

Siç raporton edhe korrespondentja e Top Channel Dhorjela Çule, e cila ishte po ashtu pjesë e tensioneve, duke u përballur me ofendime, Asimi ka akuzuar të gjithë mediat si të shitura dhe në shërbim të pushtetit ku në këto momente të gjithë gazetarët kanë ndaluar intervistat duke mos pranuar këto akuza.

Të sharat e orkestruara në korr kanë bërë që të gjithë gazetarët të heqin mikrofonat dhe të largohen nga protesta ndërsa i janë drejtuar komisariatit të Maliqit për ndalim të funksionit, për goditje fizike dhe denigrim të figurës.

Arian Asimi njihet si eksponent politik i Adriatik Lapajt.

Ndërkohë blutë kanë bërë me dije që 45-vjeçari Asimi është proceduar penalisht për veprën penale

Njoftimi i Policisë:

Maliq/ Kanosi dhe fyeu gazetarët gjatë një proteste, procedohet penalisht 45-vjeçari “Kanosja për shkak të detyrës”.

Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Maliq referuan materialet në Prokurori, ku filloi procedimi penal ndaj shtetasit A. A., 45 vjeç, banues në fshatin Libonik, Maliq, për veprat penale “Kanosja për shkak të detyrës” dhe “Fyerja”.

Ditën e sotme, gjatë protestës së organizuar nga shtetasi A. A., përpara Bashkisë Maliq, ky shtetas kanosi dhe fyeu shtetasit Xh. Sh., A. B., I. R., S. Xh., Dh. Ç. dhe E. Xh., me profesion gazetarë, të cilët ishin të pranishëm në protestë në ushtrim të detyrës së tyre.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Korçës, për veprime të mëtejshme.

Top Channel