Zjarr në një magazinë me bazë ushqimore për bagëtitë në Kodër Bujaras të Elbasanit, ndërhyrja e shpejtë parandalon përhapjen e flakëve

26/08/2026 09:38

Një magazinë me bazë ushqimore për bagëtitë është përfshirë nga flakët në orët e para të mëngjesit të sotëm në fshatin Kodër Bujaras, në territorin e Bashkisë Elbasan.

Sapo është konstatuar zjarri, strukturat zjarrfikëse janë angazhuar menjëherë në terren, duke nisur operacionin për izolimin e vatrës dhe shuarjen e flakëve. Në operacion është përfshirë edhe Stacioni Zjarrfikës i Cërrikut, duke mundësuar një ndërhyrje të koordinuar dhe të shpejtë.

Situata paraqiste rrezik të shtuar për shkak të pranisë së materialeve ushqimore për bagëtitë dhe afërsisë me zona të tjera që mund të prekeshin nga flakët. Falë reagimit në kohë të shërbimeve zjarrfikëse, zjarri u izolua dhe u shua përpara se të përhapej më tej.

Gjatë ndërhyrjes, forcat zjarrfikëse arritën të shpëtojnë dy banesa, pyllin pranë zonës, si dhe një stan me bagëti, duke shmangur kështu rrezikun për jetën e banorëve, kafshët dhe pronat përreth.

Ndërhyrja e shpejtë dhe puna e ekipeve në terren bënë të mundur kufizimin e dëmeve dhe parandalimin e përshkallëzimit të situatës, e cila mund të kishte marrë përmasa shumë më të mëdha nëse flakët do të përhapeshin në zonat përreth.

Drejtoria e Përgjithshme e Mbrojtjes nga Zjarri dhe Shpëtimin, në bashkëpunim me strukturat vendore dhe shërbimin zjarrfikës të Cërrikut, vijon të mbetet në gatishmëri për përballimin e situatave emergjente dhe mbrojtjen e jetës, pronës dhe mjedisit.

Top Channel