Po transportonte armë zjarri për shitje në Tiranë, arrestohet 26-vjeçari në Kthesën e Kamzës

26/08/2026 12:25

Një 26-vjeçar është arrestuar në Kthesën e Kamzës pasi dyshohet se po transportonte armë zjarri për shitje në Tiranë.

Sipas uniformave blu, i riu lëvizte nga Kruja drejt kryeqytetit për të shitur një pistoletë.

Për pasojë u sekuestrua arma, automjeti me të cilin lëvizte i arrestuari dhe celulari i tij.

Shërbimet e Forcës së Posaçme Operacionale, në bashkëpunim me specialistët e Seksionit për Hetimin e Trafiqeve, si rezultat i administrimit të menjëhershëm të informacionit të siguruar në rrugë operative, për një shtetas që po levizte drejt Tiranës, me armë zjarri, në automjet, finalizuan operacionin e koduar “Price”, gjatë të cilit u arrestua te vendi i quajtur “Kthesa e Kamzës”, shtetasi N. D., 26 vjeç, banues në Krujë.

Nga kontrolli në automjetin që drejtonte 26-vjeçari u gjet 1 armë zjarri (pistoletë) që dyshohet se ishte siguruar dhe po transportohej me qëllim shitjen në Tiranë.

Vijon hetimi për identifikimin dhe ndalimin e shtetasve të tjerë që mund të jenë përfshirë në këtë rast kriminal, si dhe për dokumentimin ligjor të të gjitha rrethanave të tij.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme“, thuhet në njoftimin e policisë.

Top Channel