KLGJ rrit pagën e gjyqtarëve! Shtohet rroga me 65 mijë lekë nga 1 gushti, mund të thellojë përplasjen me qeverinë
Shqipëria ka përfunduar me sukses misionin e gjashtë të riatdhesimit nga Siria, ndërsa vijojnë diskutimet për kthimin në atdhe edhe të fëmijëve të tjerë shqiptarë që ndodhen ende në zonat e prekura nga konflikti.
Më 26 gusht, në Shqipëri u rikthyen pesë shtetas shqiptarë, dy gra dhe tre fëmijë, në kuadër të një operacioni të koordinuar nga institucionet shqiptare dhe partnerët strategjikë.
Ky ishte misioni i gjashtë i riatdhesimit nga Siria, ndërsa autoritetet shqiptare theksojnë se angazhimi për kthimin e shtetasve të tjerë shqiptarë do të vijojë, sa herë që të krijohen kushtet e nevojshme për një riatdhesim të sigurt.
Procesi përfshin bashkëpunimin e disa institucioneve shqiptare, ndërsa pas mbërritjes në vend, personave të riatdhesuar u ofrohet asistencë dhe kryhen vlerësime shëndetësore e psikosociale, me fokus të veçantë te fëmijët.
Autoritetet bëjnë me dije se përvoja e gjashtë misioneve të realizuara deri tani do të shërbejë edhe për vijimin e procesit të rehabilitimit, riintegrimit dhe risocializimit të personave të kthyer në Shqipëri.
Njoftimi:
Shqipëria përfundon me sukses misionin e gjashtë të riatdhesimit nga Siria
Shqipëria përfundoi me sukses, më 26 gusht 2026, misionin e gjashtë të riatdhesimit vullnetar nga Siria, me kthimin në atdhe të pesë shtetasve shqiptarë – dy gra dhe tre fëmijë.
Ky operacion përfaqëson një tjetër hap të rëndësishëm në përpjekjet e vazhdueshme të institucioneve shqiptare për riatdhesimin e shtetasve shqiptarë nga zonat e prekura nga konflikti, duke u mbështetur në përgjegjësinë e shtetit për mbrojtjen e qytetarëve të tij dhe në respektimin e procedurave ligjore dhe të sigurisë.
Në aeroportin e Rinasit, shtetasit e riatdhesuar u pritën nga Ministri i Punëve të Brendshme, z. Besfort Lamallari, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, z. Skënder Hita, Koordinatorja Kombëtare kundër Ekstremizmit të Dhunshëm, znj. Lejdi Dervishi, si dhe përfaqësues të institucioneve të tjera të përfshira në proces.
Misioni u realizua nga Task-Forca e drejtuar nga Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme, në bashkëpunim të ngushtë me partnerët strategjikë, me mbështetjen e Policisë së Shtetit dhe të anëtarëve të tjerë të Task-Forcës, përfshirë Ministrinë e Punëve të Brendshme, Ministrinë e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale dhe ministritë e tjera të linjës. Në proces u përfshinë gjithashtu strukturat e pushtetit vendor dhe njësitë e qeverisjes vendore, të koordinuara nga Qendra e Koordinimit kundër Ekstremizmit të Dhunshëm (#QKEDH).
Ky bashkëpunim i gjerë ndërinstitucional mundëson një qasje të koordinuar dhe gjithëpërfshirëse përgjatë gjithë procesit të riatdhesimit dhe vijimit të masave për rehabilitimin, riintegrimin dhe risocializimin.
Në këtë kuadër, QKEDH ushtron rolin e saj koordinues në nivel kombëtar, duke bashkërenduar angazhimin e institucioneve përgjegjëse dhe vijimin e masave të nevojshme për rehabilitimin, riintegrimin dhe risocializimin e personave të riatdhesuar pas kthimit të tyre në Shqipëri.
Pas mbërritjes në Shqipëri, shtetasve të riatdhesuar do t’u ofrohet asistenca e nevojshme dhe do të kryhen vlerësimet përkatëse shëndetësore dhe psikosociale. Institucionet përgjegjëse do të vijojnë punën për akomodimin dhe mbështetjen e tyre, në përputhje me nevojat individuale dhe familjare.
“Një detyrim njerëzor dhe shtetëror, për t’u garantuar një fillim të ri nën mbrojtjen e institucioneve shqiptare.”- Edi Rama, Kryeministër i Shqipërisë
Riatdhesimi përbën jo vetëm një proces të kthimit të sigurt në atdhe, por edhe një detyrim njerëzor dhe shtetëror për garantimin e dinjitetit, respektimin e të drejtave dhe ofrimin e mbështetjes së nevojshme për një fillim të ri dhe një riintegrim të qëndrueshëm në familje dhe komunitet. Mbrojtja dhe mirëqenia e fëmijëve mbeten një prioritet i veçantë në këtë proces.
Përvoja e gjashtë misioneve të riatdhesimit përbën një praktikë të mirë të Shqipërisë në fushën e rehabilitimit, riintegrimit dhe risocializimit të qytetarëve të riatdhesuar. Kjo përvojë dëshmon rëndësinë e një qasjeje gjithëpërfshirëse, e cila ndërthur sigurinë me mbrojtjen e fëmijëve, mirëqenien sociale dhe riintegrimin e qëndrueshëm në familje dhe komunitet.
QKEDH do të vijojë të ushtrojë rolin e saj koordinues, në bashkëpunim me institucionet përgjegjëse në nivel qendror dhe vendor, për të garantuar vijimësinë e procesit të rehabilitimit, riintegrimit dhe risocializimit, sipas nevojave individuale dhe familjare.
Shqipëria do të vijojë angazhimin e saj për forcimin e bashkëpunimit ndërinstitucional dhe me partnerët strategjikë, me synim garantimin e kthimit të sigurt dhe trajtimit të përshtatshëm të shtetasve shqiptarë që ndodhen ende në zonat e prekura nga konflikti, sa herë që krijohen kushtet e nevojshme për riatdhesimin e tyre.
Top Channel