Dosja e AKSHI-t, arrestohet në Durrës biznesmeni Ergys Agasi Shqiptarët e riatdhesuar nga zonat e konfliktit SIRI, IRAK kthehen në Shqipëri, por përballen me rrezikun e pasigurisë ekonomike dhe strehimit, si dhe të përjashtimit social.
Qendra e Koordinimit kundër Ekstremizmit të Dhunshëm ka raportuar se deri në dhjetor të 2025 nevojat bazike të familjeve të kthyera janë mbuluar nga donatorë ndërkombëtarë dhe organizatat e shoqërisë civile, duke përfshirë ushqim, kostot e banesave me qira, si dhe rimbursimin e faturave të energjisë elektrike dhe ujit.
Por ndërprerja e fondeve ka sjellë nevojën urgjente për ndërhyrjen institucionale të shtetit për një buxhet të dedikuar për të garantuar mbrojtjen minimale sociale dhe për të parandaluar riskun e përfshirjes së të riatdhesuarve në rrugë të margjinalizimit apo kriminalizimit.
“Në mungesë të alokimit të fondeve të dedikuara nga buxheti i shtetit, ekziston rreziku që procesi i rehabilitimit, riintegrimit, risocializimit të mbetet i fragmentuar dhe i paqëndrueshëm, duke cënuar objektivat afatgjata të sigurisë kombëtare dhe të parandalimit të ekstremizmit të dhunshëm”, citohet në raportin e Qendrës së Koordinimit Kundër Ekstremizmit të Dhunshëm.
Në raportin e siguruar prej gazetares së Top Channel, Kristi Gongo, nga 5 familje që kanë strehim me qira është kërkuar shtyrja e përkohshme e mbulimit të kostove për 3 familje si masë emergjente, si dhe Qendra ka komunikuar me Agjencinë e Administrimit të Pasurive të Sekuestruara për të gjetur një zgjidhje afatgjatë për 4 ambiente banimi, por në kthim përgjigje nuk ka pasur hapësira të disponueshme.
Ndaj Qendra kundër Ekstremizmit të Dhunshëm e vlerëson situatën kritike dhe sheh të domosdoshme përmbushjen e tre kërkesave: strehim i qëndrueshëm, skema socio-ekonomike mbështetëse dhe programe të posaçme për të rinjtë mbi 18 vjeç.
“Në mungesë të një reagimi të strukturuar shtetëror: Procesi RRR rrezikon të mbetet formal dhe jo substancial; rritet rreziku i përjashtimit social dhe i margjinalizimit; dobësohet besueshmëria e shtetit përballë partnerëve ndërkombëtarë; cënohen objektivat që kontribuojnë në sigurinë kombëtare”, citohet në raportin e Qendrës së Koordinimit Kundër Ekstremizmit të Dhunshëm.
Top Channel