E rëndë në Prizren/ 80-vjeçarja gjendet pa jetë, i akuzuar bashkëshorti i moshuar. Dyshohet se e rrahu deri në vdekje
Kosova vijon të mbetet e zhytur në një krizë të zgjatur politike, ndërsa ngërçi institucional ka hyrë në një prej fazave më delikate. Prej më shumë se dy vitesh, vendi përballet me tensione politike dhe vështirësi në funksionimin normal të institucioneve, ndërsa sfida më e madhe mbetet zgjedhja e Presidentit të ri të Republikës.
Në këtë situatë, ish-shefi i Misionit Verifikues të OSBE-së në Kosovë dhe ish-ambasadori amerikan William G. Walker, një prej figurave të njohura për rolin e tij në Kosovë gjatë viteve të luftës, u ka dërguar një letër liderëve të partive politike të përfaqësuara në Kuvend, duke propozuar një emër për postin e Presidentit.
Walker sugjeron Faton “Tony” Bislimin si një kandidat që, sipas tij, mund të shërbejë si figurë konsensuale dhe të kontribuojë në tejkalimin e ngërçit politik.
Në letrën e tij, ish-diplomati amerikan rendit eksperiencën ndërkombëtare, formimin akademik, aftësitë komunikuese dhe njohjen e proceseve të shtetformimit të Kosovës si disa prej arsyeve që e bëjnë Bislimin, sipas vlerësimit të tij, të përshtatshëm për këtë detyrë.
LETRA E PLOTË
Nga: Ambasadori (në pension) William G. Walker
Lënda: Propozim për kandidaturë për President të Kosovës
Si mik i Kosovës, jam thellësisht i shqetësuar, ashtu siç jam i bindur se jeni edhe ju dhe qytetarët e Kosovës, për bllokadën e tejzgjatur të procesit kushtetues për zgjedhjen e Presidentit të ri. Nuk besoj se zgjedhje të tjera do të sillnin qartësi apo zgjidhje për këtë situatë, e aq më pak ta rikthenin Kosovën në rrugën e një qeverisjeje efektive.
Në mënyrë që institucioni i Presidencës ta ushtrojë me sukses rolin e tij, Kosovës i nevojitet një person me aftësi të veçanta dhe me përkushtim të fuqishëm për ta avancuar vendin drejt pozitës që i takon në botë.
Kam dëgjuar emrat e disa kandidatëve të mundshëm. Të gjithë meritojnë të merren në konsideratë, por, sipas vlerësimit tim, asnjëri prej tyre nuk i përmbush në tërësi aftësitë, përvojën dhe profilin personal që kërkon posti i Presidentit. Prandaj, më lejoni të propozoj një emër.
Faton “Tony” Bislimin e njoh prej shumë vitesh. Kemi diskutuar shpesh për politikën e Kosovës, si në planin e brendshëm, ashtu edhe për vendin e këtij shteti të ri në Evropë dhe në botë. Nuk kam asnjë dyshim për pavarësinë e tij në mendim dhe për aftësinë e tij për t’i artikuluar dhe mbrojtur qartë qëndrimet e veta për çfarëdo çështjeje.
Sipas mendimit tim, ndër emrat që mund të merren në konsideratë, Fatoni i posedon të gjitha aftësitë e nevojshme, si dhe profilin personal që kërkohet për të qenë një President i suksesshëm.
Më lejoni t’i rendis disa prej cilësive që, sipas meje, janë thelbësore për ushtrimin me sukses të detyrës së Presidentit:
Fatoni ka jetuar, udhëtuar dhe studiuar në vende të ndryshme të Evropës dhe Amerikës së Veriut. Njohuritë dhe përvoja e tij ndërkombëtare janë të jashtëzakonshme.
Studimet e Fatonit në Kosovë, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Kanada kanë qenë të nivelit më të lartë. Po ashtu, aftësitë e tij si edukator dhe ligjërues janë dëshmuar gjerësisht.
Fatoni zotëron në mënyrë të plotë shqipen dhe anglishten, ndërsa, me sa di, edhe frëngjishten.
Fatoni ka njohuri dhe kuptim të jashtëzakonshëm për rrugëtimin e Kosovës para, gjatë dhe pas luftës së viteve ’90, si dhe për proceset komplekse dhe personalitetet që kanë qenë pjesë e këtij rrugëtimi. Ai ka pasur gjithashtu kontakte personale me shumë prej akterëve të përfshirë.
Fatoni i posedon të gjitha aftësitë e nevojshme sociale. Di të jetë i afërt dhe serioz kur situata e kërkon, por edhe të sjellë lehtësi dhe humor kur është e nevojshme. Janë të paktë ata që largohen nga një bisedë me Fatonin të zemëruar apo të pakënaqur, pavarësisht dallimeve në argumente apo pikëpamje. Pikërisht ky është lloji i personalitetit që kërkohet për një Presidencë të suksesshme.
Kosova ka nevojë të madhe për një President që perceptohet si përfaqësues i vendit në tërësi, jo i një partie, i një individi apo i një qëndrimi të ngurtë politik për çdo çështje. Fatoni nuk përfaqëson interesa partiake. Ai përfaqëson bindjet e veta dhe përkushtimin për një Kosovë më të mirë.
Me një fjalë, sipas mendimit tim, Fatoni i posedon të gjitha cilësitë e nevojshme për të qenë një President i suksesshëm i Kosovës.
Kërkoj vetëm që emri dhe kualifikimet e tija të merren në konsideratë gjatë diskutimeve tuaja.
Me respekt dhe me urimet më të mira,
Amb. William G. Walker
Shënim: Kjo letër u është dërguar të gjithë liderëve të partive politike të përfaqësuara në Kuvendin e Kosovës, në ndërkohë deri në publikimin e letrës nuk është konfirmuar nga LVV, PDK, LDK e AAK që e njëjta ka arritur në adresën e tyre.
Ndryshe Faton Bislimi aktualisht jeton dhe vepron në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe punon e avokon për çështjen e shqiptarëve.
Top Channel