Një grua 80-vjeçare, me inicialet L.D., është gjetur pa shenja jete rreth orës 01:30 të ditës së sotme, në banesën e saj në Prizren. Lajmi është konfirmuar për mediat nga zëdhënësi i Policisë së Kosovës për rajonin e Prizrenit, Shaqir Bytyqi.

Sipas policisë, pas marrjes së njoftimit, në vendngjarje kanë mbërritur patrullat policore dhe ekipi i urgjencës mjekësore, të cilët kanë konstatuar vdekjen e 80-vjeçares.

Në banesë është gjetur edhe bashkëshorti i saj, rreth 81 vjeç, me inicialet B.D., i cili është shoqëruar në stacionin policor.

Pas ekzaminimit të vendit të ngjarjes nga hetuesit e policisë, forenzikës dhe ekspertëve të mjekësisë ligjore, ka lindur dyshimi se gruaja mund të jetë vrarë.

“Pas ekzaminimit të vendit të ngjarjes nga hetuesit e policisë, forenzikës dhe ekspertët e mjekësisë ligjore, ka lindur dyshimi për veprën penale ‘Vrasje e rëndë’. Dyshohet se lëndimet e evidentuara në trupin e viktimës janë shkaktuar nga forca duarthatë, pa përdorim të ndonjë arme apo mjeti tjetër”, deklaroi Bytyqi.

Trupi i pajetë i 80-vjeçares është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore në Prishtinë, ku do t’i nënshtrohet ekzaminimit mjekoligjor.

Ndërkohë, bashkëshorti i saj është intervistuar në prani të avokatit mbrojtës. Me vendim të Prokurorit të Shtetit, ai është ndaluar për 48 orë.

Sipas të dhënave të policisë, çifti nuk kishte pasur më herët raste të raportuara të dhunës. Në momentin e ngjarjes, ata ndodheshin vetëm në banesë. Hetimet vijojnë për të zbardhur rrethanat e plota të ngjarjes dhe për të përcaktuar motivin e dyshuar të krimit.

Top Channel