Thikë 26 cm dhe levë një metërshe. Përleshje e dhunshme në Greqi mes shqiptarit dhe pronarit armen: Do të të vras, por jo para gruas

26/08/2026 11:34

Një konflikt mes një 49-vjeçari shqiptar dhe pronarit armen të një servisi makinash ka degjeneruar në përdorimin e armëve të ftohta dhe mjeteve të forta.

Sipas Protothema.gr, gjithçka nisi kur 49-vjeçari shqiptar u paraqit në biznes, duke fyer dhe sulmuar verbalisht 45-vjeçarin me origjinë armene. Konflikti u ndërpre përkohësisht nga ndërhyrja e klientëve dhe personave të pranishëm, të cilët arritën ta largonin nga ambientet e servisit, ndërkohë që ai lëshoi kërcënime se “do ta paguante me gjak”.

Pak kohë më vonë, situata ka kaluar në përmasa alarmante kur 49-vjeçari është rikthyer sërish në garazh, kësaj here i armatosur me një thikë 26 centimetra të gjatë, duke e kërcënuar se do ta masakronte. “Do të të vras, do të të masakroj”, bërtiste shqiptari.

Në përballje e sipër, pasi bashkëshortja e pronarit dhe një punonjës tentuan ta neutralizonin, 45-vjeçari armen ka kapur një levë makine rreth 1 metër të gjatë, duke e goditur në kokë dhe këmbë.

Përpara se të largohej përfundimisht nga vendngjarja, shqiptari dyshohet se ka vazhduar kërcënimet, duke i thënë: “Do të të vras, por nuk dua ta bëj para gruas sate. Do të të gjej vetëm dhe do ta djeg dyqanin tënd“.

Pas ndërhyrjes së forcave të rendit, situata është vënë nën kontroll. 49-vjeçari shqiptar është vënë në pranga për fyerje, tentativë dëmtimi trupor dhe armëmbajtje pa leje, ndërsa pronari armen i biznesit është arrestuar gjithashtu me akuzën e dëmtimit të rrezikshëm trupor.

Top Channel