Takimet në Pogradec/ Rama: Fiksimi jonë duhet të jetë shqetësimi i çdo qytetari. Zbardhen qëndrimet e ministrave dhe drejtuesve të qarqeve

25/08/2026 13:57

Kryeministri Edi Rama mblodhi për dy ditë në Pogradec ministrat, drejtuesit e komisioneve dhe drejtuesit politikë të Partisë Socialiste, ku në fokus ishte hartimi i strategjisë për vijimin e punës së qeverisë dhe vitin e ri politik.

Përmes një videoje të publikuar nga vetë Rama, janë përmbledhur disa prej qëndrimeve të kryeministrit, ministrave dhe drejtuesve politikë të qarqeve. Në qendër të diskutimeve ishte nevoja për një reflektim pas viteve të gjata në qeverisje, forcimi i marrëdhënies me qytetarët dhe përkthimi i problematikave të tyre në vendimmarrje dhe rezultate konkrete.

Rama kërkoi më shumë angazhim të drejtuesve politikë në terren dhe kontroll më të drejtpërdrejtë të ministrave mbi institucionet në varësi.

“Fiksimi jonë duhet të jetë shqetësimi i çdo qytetari, prandaj drejtuesit politikë duhet t’iu japim fuqi që ta ndjekin territorin aty dhe ministrave do t’u duhet t’iu japim detyrimin që çdo muaj të ndjekin vetë personalisht të gjithë drejtoritë. Nëse është një grup deputetësh që fokusohen bashkë dhe i marrin në analizë bashkë, atëherë ndryshojnë gjërat”, tha Edi Rama.

“Besa”, në fokus të reflektimit të socialistëve

Një prej pikave kryesore të diskutimit ishte dokumenti “Besa”, përmes të cilit socialistët synojnë të identifikojnë dhe adresojnë më konkretisht shqetësimet e qytetarëve.

“Dokumenti ‘Besa’ synon që të vërë emra konkretë për shqetësime që artikulohen në publik”, tha Mirela Kumbaro.

Ogerta Manastirliu theksoi nevojën për të njohur problematikat e kategorive të ndryshme të shoqërisë.

“Të njohim problemet e familjes, si edhe problemet e biznesit, problemin e profesionistit, por edhe atë të pensionistit”, tha Ogerta Manastirliu.

Sipas Arbian Maznikut, pas një periudhe të gjatë në qeverisje ekziston rreziku i humbjes së besimit.

“Besa dhe Prania Besnike ngrenë një shqetësim shumë domethënës. Pas një periudhe të gjatë qeverisje ekziston rreziku i erozionit të besimit”, tha Arbian Mazniku.

Ndërsa Erion Malaj e cilësoi si sfidë kryesore kthimin e dëgjimit të qytetarëve në rezultate konkrete.

“Sfida më e madhe do të jetë si ta kthejmë dëgjimin në një vendimmarrje dhe rezultat”, tha Erion Malaj.

Për Evis Kushin, reflektimi është i domosdoshëm, ndërsa Milva Ekonomi e cilësoi qasjen e re si ndryshim në kulturën e qeverisjes.

“Padyshim që një reflektim i tillë i thellë është i domosdoshëm”, tha Evis Kushi.

“Kjo është komplet kulturë e re që ne duam të përqafojmë, qeverisjen”, tha Milva Ekonomi.

Enea Karakaçi propozoi që struktura “Besa” të shtrihet edhe në nivel ministrish.

“Do ishte me vlerë të kishim edhe nga një njësi ‘Besa’ në secilën ministri”, tha Enea Karakaçi.

Performanca dhe përgjegjësia

Një tjetër çështje e ngritur në takim ishte përgjegjësia për rezultatet dhe nevoja që mungesa e performancës të ketë pasoja.

“Një nga problematikat kryesore lidhet me tendencën e vazhdueshme, të përhershme, për të mos ndëshkuar mungesën e performancës”, tha Adea Pirdenji.

Fatmir Xhafaj vuri theksin te forcimi i marrëdhënies mes qeverisë dhe qytetarëve.

“Të ndërtojmë një sistem të dyfishtë besueshmërie përmes marrëdhënies qeveri-qytetarë”, theksoi Fatmir Xhafaj.

Ndërsa Bledi Çuçi e konsideroi dokumentin “Besa” si një kërkesë që ka ardhur nga shoqëria.

Besa, dokumenti i parë, është një lloj imponimi që ka ardhur nga shoqëria”, tha Bledi Çuçi.

“Prania Besnike” në 12 qarqet

Modeli i ri synohet të shtrihet në të gjithë vendin, me “Praninë Besnike” që pritet të zbatohet në 12 qarqet.

“E para e perceptoi si një sistem kombëtar i cili duhet të aplikohet në 12 qarqet e vendit, për të kuptuar atë çfarë ndodh në territor dhe për të pasur një panoramë të qartë”, u shpreh Ervin Demo.

Ermal Nufi tha se përgjegjësia për zbatimin e kësaj qasjeje do t’u takojë drejtuesve politikë, deputetëve dhe drejtuesve lokalë të PS-së.

“Implementimi i Pranisë Besnike i ngelet drejtuesit politik, deputetit dhe kryetarëve të partisë në rrethe”, tha Ermal Nufi.

Niko Peleshi e lidhi ndërtimin e besimit me punën dhe rezultatet.

“Besimin e ndërtojmë përmes të vërtetave dhe fakteve. Do të thotë përmes punës sonë”, tha Niko Peleshi.

Ndërsa Iris Luarasi bëri ndarjen mes rolit të qeverisë dhe atij të partisë.

“Qeveria prodhon politikë, partia ndërton marrëdhënie, qeveria administron shtetin, partia dëgjon njerëzit. Ndarja është jashtëzakonisht shumë elegante”, tha Iris Luarasi.

Anila Denaj e përshkroi dokumentin “Besa” si një mekanizëm për përqendrimin e informacionit, analizën e fakteve dhe marrjen e masave.

“Dokumenti Besa e ka sjellë të plotë atë që është institucionalizimi i asaj që është qendërzim informacioni, unifikim sjellje, analizë faktesh, reagim për fazën që vjen më pas duke marrë edhe masa”, tha Anila Denaj.

Në fokus shëndetësia, arsimi dhe çmimet

Takimi në Pogradec u përqendrua edhe te mënyra se si qeveria do t’u përgjigjet problematikave të qytetarëve dhe te përmirësimi i shërbimeve.

Në fokus janë vendosur sektorë si shëndetësia, arsimi, strehimi, politikat sociale dhe çmimet e ushqimeve bazë. Rama kërkoi gjithashtu më shumë kontroll mbi institucionet në varësi.

Pjesë e kësaj qasjeje është edhe platforma “Pasqyrë Albania”, e cila synon që ankesat e qytetarëve të marrin përgjigje brenda dy javësh.

Platforma do të mbështetet në dy mekanizma: “Flamingo Albania”, për mbledhjen e shqetësimeve dhe ankesave, dhe “Radar”, për ndjekjen në kohë reale të mënyrës se si këto problematika trajtohen dhe zgjidhen nga ministritë, bashkitë dhe institucionet e tjera.

Top Channel