SHBA, bazë ushtarake në Bosnje, ish-ambasadori amerikan: Të njohë Kosovën dhe t’i ofrojë bazë Amerikës

24/08/2026 12:49

Ish-ambasadori i Shteteve të Bashkuara në Bosnje dhe Hercegovinë, Michael Murphy, reagoi ndaj një shkrimi të autorit izraelit Jose Lev Alvarez, me titull “Lëreni Bosnjën të shpërbëhet: Përse Donald Trump duhet ta njohë Republikën e pavarur Srpska”.

Murphy e ka cilësuar shkrimin si pjesë të përpjekjeve të lobimit  për të ndryshuar narrativën rreth Bosnjës dhe Hercegovinës në Washington, duke e përshkruar atë si një nga tekstet më të pazakonta të publikuara së fundmi. Megjithatë, ai ka theksuar se nga artikulli mund të nxirren edhe disa ide konkrete.

Sipas Murphy-t, disa anëtarë të Presidencës së Bosnjës dhe Hercegovinës mund të propozojnë që vendi ta njohë Kosovën, por edhe t’i ofrojnë Shteteve të Bashkuara mundësinë për të vendosur një bazë ushtarake në territorin e Bosnjes.

“Disa anëtarë të Presidencës së Bosnjës dhe Hercegovinës mund të përpiqen të zbatojnë disa prej ideve të tij duke propozuar një vendim që Bosnja dhe Hercegovina ta njohë Kosovën, si dhe një vendim tjetër për t’i ofruar SHBA-së një bazë në Bosnje dhe Hercegovinë”, ka shkruar Murphy.

Ai ka përmendur Tuzllën si një nga opsionet, duke kujtuar se forcat amerikane kanë qenë të stacionuara atje për vite pas përfundimit të luftës. Një tjetër mundësi, sipas tij, do të ishte krijimi i një baze amerikane në Bërçko.

Të dyja do të ishin në kohën e duhur”, ka shtuar ish-ambasadori amerikan. Alvarez, në një tekst të publikuar në Washington Examiner, argumentonte se SHBA-ja duhet ta njohë pavarësinë e Republikës Serbe teksa paraqeste një sërë pretendimesh të diskutueshme për Bosnjën dhe Hercegovinën dhe historinë e saj.

Top Channel