Dhuna ndaj shefit të Krimeve në Sarandë, prokuroria kërkon burg për pronarin dhe menaxherin e “Orange”. Gjykata refuzon kërkesën

24/08/2026 13:11

Prokuroria ka kërkuar “arrest me burg” në mungesë për pronarin e lokalit “Orange”, Spiro Iljadhi, dhe menaxherin Ermal Vata, lidhur me ngjarjen ku u dhunua shefi i Krimeve të Komisariatit të Sarandës, Mateo Bakalli.

Për dy të dyshuarit, të cilët akuzohen për veprën penale “Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës”, gjykata nuk ka pranuar kërkesën e prokurorisë.

Korrespondentja e Top Channel, Entjola Budo, raporton se gjykata ka vendosur ndaj Spiro Iljadhit dhe Ermal Vatës masën “Detyrim për t’u paraqitur”, duke i lënë të lirë gjatë hetimeve.

Ngjarja ndodhi më 16 gusht në ambientet e lokalit “Orange” në Sarandë, ku shefi i Krimeve, Mateo Bakalli, ndërhyri për të ndaluar një konflikt fizik. Sipas Prokurorisë, pavarësisht se u prezantua si punonjës policie, ai u godit nga personat e përfshirë në përplasje.

Për këtë ngjarje, gjykata ka caktuar më herët “arrest me burg” për gjashtë persona, të akuzuar për “Goditje për shkak të detyrës”, ndërsa një tjetër person është shpallur në kërkim.

Top Channel