“Ajo protestë na ka sfiduar”/ Mbyllet pas 9 orësh takimi me ministrat në Pogradec, Rama: Qeverisja do të përmirësohet, shtrati i lumit u gërrye…

24/08/2026 19:30

Kryeministri Edi Rama ka mbajtur fjalën e tij pas përfundimit të takimit 9-orësh me ministrat në Pogradec, përmes një videoje live në rrjetet sociale.

Rama u shpreh se protesta qytetare e zhvilluar në Tiranë e ka sfiduar Partinë Socialiste, ndërsa theksoi se gjatë takimit është diskutuar edhe për përmirësimin e qeverisjes.

“Kemi po ashtu përcaktuar një sërë piketash për çdo sektor, jemi përqendruar te shëndetësia dhe arsimi, jemi përqendruar te krijimi i një zinxhiri i cili do të jetë zinxhiri i Shqipërisë sociale. Një Shqipëri sociale me gjërat që lidhen me cilësinë e jetës së qytetarëve. Kemi folur për çmimet, kemi një plan për këtë.

Jemi në një sistem që nuk kemi asnjë praktikë të përcaktimit të çmimeve nga shteti, por kemi plan për transparencë për qytetarët. Unë e kuptoj shumë mirë që gjithçka ka ndodhur në këtë periudhë ka gërryer një shtrat të lumit, nëse mund ta bëj këtë krahasim, por unë jam i bindur që, siç e kam thënë që në fillim, në të gjithë vorbullën këta që do të dalin më të fortë janë qytetarët shqiptarë, sepse qeverisja do të përmirësohet dhe jo thjesht sepse qeverisja duhet të përmirësohet, se në të kundërt nuk ka asnjë arsye që të vazhdojë, por sepse në këtë rast ka qenë vërtet një dhuratë.

Ajo protestë na ka sfiduar. Ajo që ishte dhe ajo që vazhdon është tjetër gjë. Nuk kam interes të flas për këtë që vazhdon, është një konglomerat që ka të gjithë të drejtën e vet të ekzistojë. Flas për atë protestë që ishte qytetare”, tha kryeministri Rama.

Top Channel