Partia Aleanca për Adhmërinë e Kosovës ka zhvilluar një aktivitet simbolik para hyrjes së objektit të Qeverisë së Kosovës, duke hedhur qymyr para dyerve të objektit të këtij institucioni.
Sipas Aleancës, ky aksion synon të përcjellë mesazhin për krizën energjetike dhe, siç e cilësojnë ata, “terrin politik” në vend. Deputeti Burim Ramadani tha se Kosova gjatë viteve të fundit ka kaluar nga terri energjetik drejt një situate që ai e konsideron terr politik.
“Me Kurtin dhe me Vetëvendosjen, gjashtë-shtatë vitet e fundit Kosova është në terr energjetik, që e ka mbajtur, po kalon në terr politik. Mesazhi dhe simbolika e thëngjillit, e qymyrit të Kosovës, është se Kosova edhe më tutje po fle mbi qymyr, por rryma nuk prodhohet”, tha Burim Ramadani.
Sipas tij, një prej pikave kryesore të ofertës prej gjashtë pikash të Aleancës është ndërtimi i një termocentrali të ri në Kosovë.
Ai akuzoi Qeverinë dhe Lëvizjen Vetëvendosje se po e mbajnë vendin në atë që e cilësoi “terr politik”, duke e lidhur këtë me bllokimin e institucioneve dhe pamundësinë për krijimin e tyre.
Top Channel